Shteti ka dështuar të kujdeset për pensionistët – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
15 °C

Shteti ka dështuar të kujdeset për pensionistët

20:02 | 12 Korrik 2018

Sipas një analize të Iniciativës Kosovare për Stabilitet, shteti ka dështuar që t’i përmbushë nevojat e personave të moshuar, të cilët në Kosovë po ndihen të anashkaluar.

Kjo organizatë ka prezantuar raportin e hulumtimit për standardin e jetesës së personave të moshuar në Kosovë, si dhe ka shfaqur dokumentarin “Të jesh plak”, të prodhuar në bashkëpunim me Kohavisionin.

Sikurse Hajrulla Fetinci, jetojnë edhe dhjetëra të moshuar në Kosovë. E shumë të tjerë po neglizhohen nga shoqëria dhe familjet.

Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka prezantuar raportin e hulumtimit për standardin e jetesës së personave të moshuar në Kosovë, si dhe ka shfaqur dokumentarin “Të jesh plak”, të prodhuar në bashkëpunim me Kohavisionin.

Florina Duli – Sefaj, drejtoreshë ekzekutive e IKS-së, tha se e kanë parë të arsyeshme të realizojnë një hulumtim të tillë, duke marrë parasysh se kjo grupmoshë e njerëzve në Kosovë janë të anashkaluar.

Anketa është realizuar me 600 të moshuar dhe prej të anketuarve, vetëm 4 për qind e tyre janë aktivë në tregun e punës, kurse vetëm 9 për qind kanë deklaruar se do të punonin nëse do t’u ofrohej një mundësi e tillë.

Zëvendësministri i Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, tha se janë duke punuar në hartimin e koncept-dokumentit për rregullimin e sistemit pensional dhe se ky raport do të shërbejë për ndërmarrjen e hapave konkretë në përmirësimin e gjendjes së të moshuarve.

Ndërkaq, sipas hulumtimit 69% e të moshuarve kanë deklaruar se shteti ka dështuar të kujdeset për ta.

Shumica e të moshuarve apo 91 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se blejnë barna të listës esenciale kundrejt 9 për qind të tyre që thanë se jo. 99 për qind nuk kanë sigurim shëndetësor.

Derisa 79.8 thonë se përkujdesjen e marrin nga familja, 15,9 nga djali e 3.8 për qind nga infermieret. 16 për qind e të moshuarve thonë se janë burimi i vetëm i të ardhurave të rregullta të tyre.

Pensioni, sipas 64 për qind të të moshuarve, nuk u garanton as minimumin e mirëqenies sociale.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!