Si u përpoq BQK ta ‘fsheh’ punësimin e kunatës së kryeministrit Haradinaj! – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
3 °C

Si u përpoq BQK ta ‘fsheh’ punësimin e kunatës së kryeministrit Haradinaj!

10:59 | 30 Gusht 2018

Banka Qendrore e Kosovës e ka konfirmuar punësimin pa konkurs të kunatës së kryeministrit vetëm një ditë pasi shkrimi është publikuar në ORAinfo. Në një përgjigje për gazetën, BQK thotë se Vjosa Muçaj-Ademi është angazhuar në këtë institucion në ofrimin e shërbimeve të veçanta dhe për periudhë të caktuar kohore. Por si ishte përpjekur ky institucion që ta fsheh punësimin e Muçaj-Ademit, në një përgjigje të mëhershme për ORAinfo?

Shkruan: Agon Sinanaj

Banka Qendrore e Kosovës e ka sqaruar punësimin e Vjosa Muçaj-Ademit, kunatës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, vetëm një ditë pasi shkrimi është publikuar në ORAinfo, ani pse gazeta kishte pritur për përgjigje më shumë se një javë.

Ky institucion, përmes një përgjigje me shkrim, tash e ka konfirmuar punësimin e Muçaj-Ademit në BQK.

“Vjosa Muçaj-Ademi është angazhuar në BQK në ofrimin e shërbimeve të veçanta dhe për periudhë të caktuar kohore”, thuhet shkurt në përgjigjen e BQK-së.

Por në një përgjigje të mëhershme për ORAinfo, BQK ishte përpjekur që ta fsheh nga sytë e publikut, punësimin e kunatës së kryeministrit.

“Personat që i keni cekur nuk janë të punësuar në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, kishin thënë nga Zyra për Informim e këtij institucioni me 22 gusht.

Vetëm pas insistimit të gazetës dhe publikimit të shkrimit, BQK tash ka pranuar se në këtë institucion është e angazhuar kunata e kryeministrit.

ORAinfo ka dërguar pyetje shtesë për të kuptuar sesi është e mundur që të ‘fshihet’ punësimi i një zyrtareje nga një institucion publik dhe i një rëndësie jetike për tregun financiar në vend, siç është Banka Qendrore e Kosovës, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkaq, ORAinfo mëson përmes burimeve të sigurta në BQK se Muçaj-Ademit në BQK shumë shpejt pritet t’i shpallet konkursi dhe të punësohet si e rregullt.

Ajo para se të hyjë në BQK ka qenë e punësuar në sektorin bankar, në njërën prej bankave komerciale.

Ajo është motra e Anita Muçaj, gruas së kryeministrit.

Ndryshe, këto punësime vijnë jo shumë kohë pas zgjedhjes guvernator në BQK të Fehmi Mehmetit, i cili e zëvendësoi në këtë pozitë Bedri Hamzën. Edhe ky i fundit ishte i njohur për punësime politike në këtë institucion. /ORAinfo/

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!