Trajkoviçi e Rashiqi kundër idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
16 °C

Trajkoviçi e Rashiqi kundër idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve

18:02 | 10 Gusht 2018

Politikanët serbë në Kosovë e shohin të dëmshme idenë e korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sidomos pas deklarimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiq për këtë temë, ata thonë se një gjë e tillë do ta destabilizonte rajonin.

Pas deklarimeve të vazhdueshme të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë, edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq është shprehur pro caktimit të kufirit, siç ka thënë, ai me shqiptarët e Kosovës. Por, nga vetë serbët në Kosovë, kjo nuk shihet si diçka e mirë. Kryetari i Partisë Progresive Serbe, Nenad Rashiq thotë se ridefinimi i kufijve është një koncept i keq.

“Duhet ta dimë që ne jemi në Ballkan. Unë nuk e di dhe nuk e mbaj mend në asnjë periudhë historike që vendet e Ballkanit kanë arritur që me paqe t’i ndryshojnë kufijtë. Kjo është çështja e parë, e cila pastaj do të hapte probleme të tjera”, thotë Rashiq.

Rashiqi thotë se përveç kësaj, as Bashkimi Evropian nuk do të pranonte ndarjen e kufijve mbi baza etnike.

Edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, thotë se korrigjimi i kufijve do të çojë në destabilizimin e rajonit. Në një intervistë për programin e gjuhës serbe të televizionit publik, Trajkoviçi vlerëson se presidentët e Kosovës dhe Serbisë tashmë kanë arritur një marrëveshje për korrigjimin e kufirit, e cila ende nuk është zbuluar.

“Ne kemi ardhur në një pozicion, ku ata për normalizim po na ofrojnë projektin më mizor. Ky projekt i ndërrimit të kufijve, nënkupton dëbim të ri dhe shpërngulje të njerëzve si dhe destabizilim posaçërisht për ne serbët, që enklavat do të zbrazeshin, por edhe pjesa më e madhe e veriut të Kosovës”, thotë Trajkoviq.

Në disa paraqitje ditëve të fundit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka përmendur mundësinë e kogjimit të kufirit me Serbinë, përkatësisht bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, por pa u cenuar veriu i vendit. Ndërsa edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, një ditë më parë ka thënë se është në favor të caktimit të kufirit me shqiptarët, duke thënë se një territor që nuk dihet se kush e trajton atë dhe çfarë kujt i përket, është gjithmonë një burim i konflikteve të mundshme.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!