Tregtia me armikun – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Tregtia me armikun

Shkruar nga: Lulzim A. Beqiri

10:52 | 28 Shtator 2017

Ditë më parë Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Ekonomike e Serbisë (OES) nënshkruan marrëveshjen mbi këmbimin e zyrtarëve ndërlidhës në të dy odat. U nënshkruan edhe shumë marrëveshje në mes të bizneseve kosovare dhe atyre serbe.

Mos harroni, në Kosovë nga janari 1998 deri më 12 qershor 1999 ka pasur 12 843 viktima të nacionalitetit shqiptar, prej tyre 1741 femra, 1396 fëmijë nën moshën 18-vjeçare, ndërsa në altarin e lirisë kanë rënë 2261 dëshmorë, në mesin e tyre 68 dëshmorë e martirë nga Shqipëria.

Veç vrasjeve, janë shkatërruar më se 188 mijë objekte banimi, janë dëbuar nga Kosova mbi një milion banorë.

Republika e Kosovës në vitin 2013 ka importuar 285 milionë euro nga Serbia, Sipas të dhënave nga Dogana Kosovës, për periudhën janar-mars 2015, importet nga Serbia kapin vlerën 64,045,350.84, kurse eksportet 3,314,973.07, që përbën një deficit prej 90.16%.

Është vërtetë shqetësuese për mua pushtimi i tregut kosovar nga produktet serbe, duke marrë parasysh që shumë herë ka rezultuar që disa nga ato produkte janë edhe kancerogjene, produkte me afate të skaduara. Thjesht nuk ka siguri nga produktet serbe. Këtu lind pyetja sa nacionalistë jemi ne, sa shumë e duam produktin vendor, sa shumë që proklamojmë në rrjetet sociale “Duaje tënden”, e në realitet konsumojmë prapë shumë produkte serbe. Madje edhe institucionet tona po e legjitimojnë ketë disbalanc tregtar sa i përket eksporteve dhe importeve me Serbinë,

Pas Serbisë, është Kina me import 48,460,068.77 dhe zero eksport, më pas Gjermania me 47,396,814.73 import dhe 1,910,758.61 eksport, pastaj Shqipëria me 20,799,940.63 import dhe 8,449,724.39 eksport.
Konsumatorët kosovarë duhet që të konsumojnë produkte me origjinë më të saktë, sidomos produktet nga Shqipëria dhe vendet e Bashkimit Evropian, sepse ofrojnë edhe siguri më të madhe për konsumim, edhe njëkohësisht niveli i shkëmbimeve tregtare me këto vende është me i mirë, prandaj edhe ne është koha të vlerësojmë bashkëpuntorët.

Ne importojmë produkte të cilat mund t’i prodhojmë vetë, siç janë produktet e qumështit dhe produkte të tjera. Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte politika më të favorshme për ruajtjen e produkteve vendore, ashtu siç veprojnë Gjermania, Turqia dhe vendet e zhvilluara.

Prodhuesit vendorë duhet të bëjnë përpjekje që produktet e tyre të jenë më cilësore, sepse kemi edhe produkte jocilësore.

Andaj mos blejë produkte serbe, duaje tënden.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!