Ushtria e Kosovës nuk do të ketë tanke e aeroplanë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
8 °C

Ushtria e Kosovës nuk do të ketë tanke e aeroplanë

16:46 | 22 Tetor 2018

Kuvendi i Kosovës ditë me parë me shumicë votash ka votuar proejktligjin që parasheh krijimin e ushtrisë së Kosovës.

E ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë se kalimi në Kuvend i tri projektligjeve është lajmi më i mirë për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë. Kastrati thotë se FSK-së i duhen shtatë vite për tu bërë ushtri. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kastrati thotë se Ushtria e Kosovës nuk do të pajiset me armatim të rëndë, mirëpo do të jenë në gjendje të kryejë detyrat e saj me të cilat obligohet me ligj.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kastrati, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim tri projektligjet për FSK-në. Nëse do të krahasonit propozimin e mëparshëm për Ligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës dhe këto tri projektligje, cilat dallime i shihni në këtë transformim?

Kadri Kastrati: Dallimi është vetëm që emri i Forcës së Sigurisë mbetet, për arsye se nuk ka ndryshime kushtetuese. Tjera dallime nuk ka. Kjo është një ngjarje kryesore pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, për arsye se më këto tri projektligje po kompletohet infrastruktura apo arkitektura e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë dhe kjo është një ngjarje që i ka gëzuar jo vetëm pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, por të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Vitin e kaluar NATO kishte kërkuar që ushtria e Kosovës, të bëhet me ndryshime kushtetuese. Sivjet NATO nuk ka përmendur deri më tani këto ndryshime. Cili është mendimi i juaj, pse ka ardhur deri te ky, nëse mund ta quajmë, evaluim i qëndrimit të Aleancës Veriatlantike?

Kadri Kastrati: Edhe ne kemi dëshiruar që të kemi ndryshime kushtetuese dhe kjo të shkojë në mënyrë të rregullt, mirëpo duke pas parasysh dhe duke parë që politika e Beogradit nëpërmes përfaqësuesve të tyre, Lista Serbe këtu në Kosovë, nuk kanë dashur asnjëherë të dëgjojnë apo të ulen të bisedojnë për ndryshime kushtetuese dhe për të ecur përpara Kosova me këtë proces, të transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura, atëherë edhe NATO e ka parë që koha po skadon, koha po ecë, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, e ka të drejtën e formimit të Forcave të Armatosura dhe në një mënyrë, heshturazi ka thënë që ecni tutje, është çështje e juaja dhe formoni ushtrinë.

Sa shihni ju rrezik nga rishikimi i pozicionit të NATO-s karshi FSK-së pas ndryshimeve ligjore që u bën në Kuvend rreth kapaciteteve dhe mandatit të FSK-së?

Kadri Kastrati: Nuk ka asnjë rrezik. Normal që NATO-ja do ta rishikon mandatin e vetë këtu në Kosovë. Unë pres që Këshilli Veriatlantik i NATO-s që është organi më i lartë i NATO-s, të ulet dhe të rishikojë në të ardhmen mandatin e saj, për arsye se dy ushtri nuk mund të qëndrojnë në një shet. Mirëpo, ne duhet ta kemi parasysh një gjë, që Kosova nuk do ta ketë ushtrinë së paku për 7 vitet e ardhshme, për arsye se Kosovës apo Forcës së Sigurisë së Kosovës, i nevojiten shtatë vite, minimumi deri në dhjetë për t’i ngritur kapacitetet ushtarake të mjaftueshme për të kryer detyrat bazuar në misionin që do ta ketë në bazë të ligjit që është miratuar në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

A shihni ju përplasje të përgjegjësive mes FSK-së së transformuar dhe KFOR-it në Kosovë?

Kadri Kastrati: Jo. KFOR-i do të ndihmojë ashtu si ka ndihmuar deri më tani Forcën e Sigurisë, që të ecë më tutje në ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Unë dua të iu them që KFRO-i që nga fillimi e deri më tash ka ndihmuar Forcën e Sigurisë, ka qenë brenda Forcës së Sigurisë, për ta ndihmuar këtë forcë të zhvillohet, të ngritët në kapacitetet e saja operacionale, dhe unë mund të iu them lirisht që Forca e Sigurisë së Kosovës i ka të gjitha standardet e plotësuara, bazuar në standardet e NATO-s, dhe kjo duke iu falënderuar KFOR-it dhe partnerëve tanë strategjik, kuptohet edhe vendore, mirëpo barrën kryesore për këtë çështje ku jemi deri më tani, e bartë NATO-ja nëpërmes KFOR-it këtu në Kosovë.

Bazuar në ligjet e reja të miratuara në parim por edhe në bazë të pikëpamjeve tuaja, çfarë lloj armatimi i duhet Ushtrisë së Kosovës dhe cili do të jetë kalibri më i madh i armatimit?

Kadri Kastrati: Nga 2012 deri më 2014, është bërë një rishikim strategjik i sektorit të sigurisë në përgjithësi në Kosovë, e në veçanti për Forcën e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe është paraparë që Ushtria e Kosovës do të pajiset me armatim mbrojtës. Kjo do të thotë që nuk do të ketë tanke, nuk do të ketë aeroplanë luftarakë, nuk do të ketë asnjë armatim sulmues, për arsye se ne edhe sipas Kushtetutës se Republikës së Kosovës nuk kemi pretendime të territoreve të vendeve fqinje dhe nuk kemi nevojë që Ushtria e Kosovës në të ardhmen të armatoset me armatim ofanziv (sulmues).

Ne si Kosovë, Forcën e Sigurisë apo Forcën Ushtarake, do ta armatosim me armatim mbrojtës që do të jetë e gatshme që të kryejë detyrat bazuar në misionin që do ta ketë. Mbrojta e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, mbështetja e autoriteteve qendrore dhe lokale, mbrojtja e jetëve dhe pronave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe pjesëmarrjen në operacionet paqeruajtëse me NATO-n. Kalibri më i madh që është paraparë për Ushtrinë e Kosovës, do të jenë topat deri në 105 milimetra, minahedhës deri 120 milimetra, mbrojtje kundërajrore, helikopterë dhe të gjithë armatimin nën këtë kalibër që është i mjaftueshëm dhe i nevojshëm për të kryer të gjitha këto detyra që dalin nga misioni i ardhshëm i Ushtrisë së Kosovës.

Në cilën fazë do të armatoset me armatim të rëndë FSK apo ushtria e ardhshme e Kosovës?

Kadri Kastrati: Gjatë viteve 2012-2014, kur është bërë rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, është bërë edhe plani i ngritjes së kësaj force, apo plani i veprimit që është paraparë në atë kohë 10 vjet, por unë rekomandoj fuqishëm institucionet e Kosovës pasi që ne jemi vonuar katër vite, që ky plan të zvogëlohet në shtatë vjet. Ko është paraparë me faza. Faza e parë, është ngritja apo shndërrimi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë në Ministri të Mbrojtjes, riorganizimi i saj. Pastaj është ngritja e doktrinave, rregulloreve, i gjithë ai dokumentacion që duhet të adoptohet bazuar në ligjet që tashmë kanë kaluar në Parlament dhe ristrukturimi i strukturës të ushtrisë që do të jetë më ndryshe.

Një vit ose një vit e gjysmë, kjo forcë do të punoj vetëm në ristrukturim dhe në përpilim të këtyre dokumenteve, dhe pastaj do të shkohet çdo vit me blerjen e armatimeve, pajisjeve shtesë, dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore, duhet të jenë edhe 2500 pjesëtarë të rinj dhe 3 mijë rezervë sa janë paraparë në forcën ushtarake.

Në bazë të NATO-s, secili vend anëtar duhet të shpenzojë 2.5 për qind të GDP-së, a do jetë rasti i njëjtë edhe me Kosovën?

Kadri Kastrati: Deri në 2.5 është e paraparë me standarde të NATO-s. Ne e kemi më pak se 1 për qind. Unë jam shumë i bindur se buxheti i Republikës së Kosovës nuk do të ngarkohet me ngritjen e kapaciteteve ushtarake, dhe unë pres që qeveria, ashtu siç është paraparë, në rishikimi strategjik të sektorit të sigurisë, buxheti aktual sa është i Forcës së Sigurisë, të ngritët edhe për 5 milionë euro çdo vit, që do të mjaftonin për ta ngritur këtë forcë e cila do t’i kryente detyrat bazuar në mision e vet.

Sa do të jetë e madhe kjo ushtri nëse krahasohet me vendet fqinje të Kosovës?

Kadri Kastrati: Përafërsisht është një balancim. Kjo forcë është e paraparë që t’i ketë 8 mijë pjesëtarë, 5 mijë aktivë dhe 3 mijë rezervë. Ne kemi bërë një studim në atë kohë dhe kemi bërë edhe skenarë të mundshëm se sa i nevojitet Kosovës forcë ushtarake nëse kërcënohet nga jashtë, për t’i plotësuar të gjitha këto detyrime dhe obligime që dalin nga misioni, dhe ne kemi ardhur deri tek një përfundim të atij studimi që Kosovës nuk i nevojiten më tepër se 8 mijë pjesëtarë, të cilët do të jenë të trajnuar, të pajisur me standarde të NATO-s për t’i kryer të gjitha këto detyra.

Unë pres që në këto shtatë vitet e ardhshme, Kosova t’i ngritë këto kapacitete ushtarake për t’i dalë përballë të gjitha detyrimeve të veta që i ka përpara bazuar në ligj dhe bazuar në obligimet që do t’i ketë.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!