Ushtria e Kosovës nuk do të udhëhiqet nga Arkani – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Ushtria e Kosovës nuk do të udhëhiqet nga Arkani

Shkruar nga: Parim Olluri

15:22 | 11 Dhjetor 2018

Politikanët dhe kriminelët serb po e propagandojnë si të rrezikshme Ushtrinë e Kosovës. Pohojnë se ka për qëllim dëbimin e serbëve nga vendi. Mirëpo, faktet e tregojnë të kundërtën. Ende asnjë serb që jeton në Kosovë, në pjesët e kontrolluara nga shteti i Kosovës, nuk është maltretuar nga FSK-ja. Në këtë pikë, ne jemi më mirë se shteti serb. Ushtarët e FSK-së nuk kanë pasur asnjëherë për udhëheqës ‘paramilitarë të çmendur’.

Në momentin që përmendet ushtria serbe, neve shqiptarëve na parafytyrohet Arkani. Asociimi është i bazuar. Ushtria dhe paramilitarët serb, të udhëhequr nga krimineli Zheljko Razhnatoviq-Arkan, kanë kryer masakra e gjenocid në Kosovë.

Politikanët serb në Beograd e dinë këtë. Për këtë arsye, ata kanë propaganduar me vite te banorët serb të Kosovës që ta kenë të njëjtin parafytyrim kur përmendet ushtria e Kosovës. Kanë propaganduar me vite që serbët e Kosovës t`i parafytyrojnë ushtarët e Kosovës si kriminel të kalibrit të Arkanit. Ky asociim nuk është i bazuar. Ndjellja e frikës është bërë për arsye politike e biznesore.

Duke qenë serbët e veriut të Kosovës të frikësuar dhe kundërshtues të Ushtrisë e Policisë së Kosovës, ata do të kërkojnë mbrojtjen tek njerëzit e fuqishëm serb. Do të mbështeten te njerëzit me profil të ngjashëm kriminal si Zvonko Veselinoviq, Milan Radojçiq si dhe i ndjeri Oliver Ivanoviç. Po ashtu, do t”i shohin si shpëtimtarë mercenarët serb që kanë luftuar përkrahë forcave ruse në Krime, siç janë: Bratisllav Zhivkoviq, Dejan Vujiq, Radomir Poquca, Goran Gerovac e shumë kriminel tjerë.

Mbështetja e banorëve te kriminelët e tillë krijon para dhe benefite të pafundme për politikanët lokal të veriut, për kriminelët si Zvonko si dhe politikanët serb në Beograd.

Me qëllim përfitimin e parasë ata i frikësojnë serbët e veriut. Propagandojnë se formimi i Ushtrisë së Kosovës është fundi i tyre. I gënjejnë se ushtria e Kosovës ka për qëllim dëbimin e tyre nga Kosova. Ka për qëllim hakmarrjen për atë që bëri Arkani në Kosovë.

Në fakt, forcimi i institucioneve të Kosovës, përfshirë bërja e ushtrisë, është fundi i kriminelëve serb në veri. Me forcimin e institucioneve të Kosovës, të vetmit njerëz që do të “dëbohen” e burgosen janë kriminelët e veriut-serb e shqiptar.

Duke e ditur këtë fakt, politikanët dhe kriminelët serb kanë ndezur makinerinë e propagandës për të parandaluar bërjen e ushtrisë së Kosovës. Këtë vit, është ushtruar terror mbi banorët serb në pjesën veriore të Kosovës. Kanë nisur nga lartë me deklarimin e presidentit Aleksandër Vuçiq, i cili i ka bërë thirrje pjesëtarëve serb të FSK-së që të demilitarizohen. Këtë vit kanë dhënë dorëheqje 70 pjesëtarë serb të frikësuar të FSK-së. Përveç presionit politik, janë përdorur edhe taktika tjera për t’i frikësuar me qëllimin largimin nga ushtria e Kosovës. Janë kërcënuar familjet e tyre. Po ashtu, janë sulmuar edhe me bombë nga kontrolluesit kriminel të veriut.

Në fund të vitit të kaluar, shtëpitë e dy pjesëtarëve serb të FSK-së ishin sulmuar nga njerëz të lidhur me krimin në veri. Mesazhi ishte i qartë: Largohuni nga FSK-ja.

Në shkurt të këtij viti, një pjesëtari serb të FSK-së iu dërgua një letër kërcënuese. Aty ishin shkruar emrat e shtatë pjesëtarëve serb të FSK-së.

“Do t’ua thyejmë kockat”, shkruante në letrën, përgjegjësinë për të cilin e mori “Armata e Veriut” (Severna Armija), e cila kërkonte demilitarizimin e pjesëtarëve serb të FSK-së.

Frikësimi i pjesëtarëve serb të FSK dhe banorëve të asaj zone ka ndikuar në krijimin e perceptimit kundër Ushtrisë së Kosovës.

Në një tryezë të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në nëntor të vitit të kaluar, u publikuan shifrat që tregojnë për frikën e serbëve të Kosovës.

Drejtori i organizatës “Humani Centar”, Veroljub Petroviq, bëri publike në këtë tryezë rezultatin e një anketimi lidhur me frikën që kanë serbët ndaj Ushtrisë së Kosovës. Të frikësuar dalin edhe serbët, të cilët jetojnë në pjesë tjera të Kosovës. Jo vetëm në pjesën veriore të vendit.

Sipas tij, 80 për qind e qytetarëve serb në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë janë kundër transformimit të FSK-së në ushtri. Ky percepsion i serbëve është më i ndjellur nga propaganda e politikanëve dhe e kriminelëve serb, se sa në përvojat personale që serbët kanë me FSK-në.

Është fakt që shteti i Kosovës nuk kontrollon veriun. FSK-ja dhe Policia e Kosovës nuk kanë shtrirje reale aty.

Por, këto dy institucione kanë pushtet faktik në shumë komuna serbe jashtë veriut të vendit. A keni dëgjuar ndonjëherë që serbët e Graqanicës apo të Parteshit kanë qenë viktima të torturave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës?

Ende nuk është shënuar asnjë rast i tillë. FSK-ja deri tash është udhëhequr nga njerëz profesionist dhe ka pasur mbështetjen e NATO-s e SHBA-së për ngritjen e kapaciteteve profesionale.

Ky fakt rrëzon teorinë propaganduese të politikaneve dhe kriminelëve serb që pohojnë se Ushtria e Kosovës do të bëjë dëbimin e serbëve të Kosovës.

Nëse FSK-ja dhe Policia e Kosovës do të kishin synime të tilla, atëherë banorët serb që jetojnë në komunat e kontrolluara nga shteti i Kosovës do të vuanin nga terrori e maltretimet e pjesëtarëve të këtyre dy institucioneve.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!