Vazhdon greva në të gjitha shkollat e Kosovës

10:15 | 21 Janar 2019

Duket se edhe gjatë ditës së sotme, po vazhdon greva në të gjitha shkollat e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Republikës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jashari, duke thënë se deri më tani nuk kanë asnjë raport se diku është ndalur greva.

Në një prononcim për Indeksonline, Jashari thotë se sipas raporteve të tyre greva po vazhdonë në tërë Kosovën edhe sot.

“Nuk kemi asnjë raport që thotë se diku është ndalur greva. Pra sipas raporteve tona greva vazhdon në tërë Kosovën dhe ne si zakonisht pas orës 12:00 do e japim një informatë të saktë dhe nëse ka edhe raste të tilla do i publikojmë sepse na duhen të dhëna reale. Pra sipas informacioneve që i kam, në tërë Kosovën po vazhdon të mbahet greva si ditët e kaluara”, është shprehur Jashari.

Përderisa dje kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje për ndalimin e grevës duke theksuar se pagat për mësimdhënës janë rritur dhe ato janë votuar në Komisionin për Buxhet nga të gjitha partitë.

“Haradinaj ka thënë se ka ndodhur një rritje substanciale e pagave dhe se kjo rritje është votuar në Komisionin për Buxhet nga të gjitha partitë. Për mësimdhënësit e Shkollave të Mesme paga e tanishme është 597.8 euro, pra ka 74 euro rritje page. Për mësimdhënësit në fillore rritja është nga 479 euro sa është aktualja në 529 euro, pra rritja është 46 euro. Për mësimdhëniet në arsimin parashkollor nga 447 në 501.9 euro”, ka dekaruar dje Haradinaj, transmeton Indeksonline.

Mirëpo, Jashari ka thënë se kjo rritje është vlerësuar tepër e ulët.

“Çerdhen në Mitrovicë ishin të gjithë në grevë dhe unik deri në realizmin e kërkesave tona. Kërkesat tona pra janë që të rriten së paku 30 për qind koeficienti në sektorin e arsimit nga çerdhet e deri të punësuarit tjerë në fakultet dhe deri edhe në rektorat. Dje oferta e kryeministrit është vlerësuar si ofertë tepër e pakët dhe e ulët dhe ne presim që greva të jetë unike dhe të vazhdojë derisa Qeveria të ulet dhe ta kuptojë seriozisht situatën dhe të plotësojë kërkesat legjitime të punëtorëve të sektorit të arsimit”, ka thënë më tutje Jashari.

Ndryshe, duhet cekur se gjatë mbrëmjes së djeshme disa komuna kanë kërkuar nga mësimdhënësit të ndërpresin grevën dhe kërkesat e tyre t’i kërkojnë në ndonjë formë tjetër, por jo duke lënë nxënësit pa mësim.

Komento: