Vëllai i Presidentit Thaçi rrit ambiciet në sektorin minerar – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
25 °C

Vëllai i Presidentit Thaçi rrit ambiciet në sektorin minerar

12:07 | 08 Maj 2018

Vëllai i Presidentit, Idriz Thaçi, i ka rritur ambiciet për sektorin minerar në Kosovë. Përveç gurëthyesit “Geo Mineral” që është pronë e tij tash e sa vite, ORAinfo ka gjetur se, së fundi, Thaçi ka kryer edhe studimet post-diplomike për Xehetari, në Fakultetin e Gjeoshkencave në Mitrovicë. Në të njejtin universitet së fundi është emëruar prodekane edhe gruaja e Presidentit, Lumnije Thaçi

Shkruan: Agon Sinanaj

Vëllai i madh i Presidentit të vendit, Gani Thaçi, për shumë vite ka qenë njëri nga njerëzit më me ndikim në sektorin e sigurimeve në Kosovë. Edhe sot e kësaj dite ai mban njërën nga pozitat më të larta në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Por rrugën e njëjtë po e ndjek edhe vëllai tjetër i Presidentit, Idriz Thaçi, veçse ky i fundit në një sektor tjetër. Më saktësisht në sektorin minerar.

Deri më tani, Idriz Thaçi ka qenë i kyçur në këtë sektor përmes një gurëthyesi në Malishevë, i cili është pronë e tij. Bëhet fjalë për gurëthyesin “Geo Mineral”, me bazë në Astrazub të Malishevës.
Por së fundi, Thaçi ka shfaqur edhe ambicie tjera karshi këtij sektori, që shkojnë përtej këtij gurëthyesi. Ai po synon edhe pozitë në njërin nga institucionet që merren me rregullimin e sektorit minerar. Për këtë vëllai i presidentit tashme është përgatitur edhe sa i përket përgatitjes profesionale.

ORAinfo ka siguruar dy vendime të Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, të cilat dëshmojnë sesi Thaçi i ka përfunduar vitin e kaluar studimet post-diplomike për xehetari në këtë universitet.

Në vendimin e Fakultetit të Gjeoshkencave, një kopje të te cilit e posedon gazeta, prej nëntë studentëve të pranuar në nivelin master, për vitin akademik 2014-2015, figuron edhe emri i Idriz Thaçit. Programi në të cilin Thaçi i ka kryer studimet quhet “Xehetari”.

ORAinfo posedon edhe një vendim tjetër me të cilin Fakulteti i Gjeoshkencave, në kuadër të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, ia ka njohur të drejtën Thaçit për studime.

“Ratifikohet procesverbali i dhënies së provimeve plotësuese nga studenti Idriz Haxhi Thaçi, në studimet master në programin e studimeve Xehetari. I përmenduri fiton të drejtën e regjistrimit në studimet master në Fakultetin e Gjeoshkencave, programi i studimeve Xehetari, në vitin akademik 2014-2015”, thuhet në këtë vendim.

ORAinfo ka pyetur zyrtarët e këtij fakulteti, lidhur me studimet paraprake të Thaçit, para se ai të regjistrohej për Xehetari. Zyrtari për informim, Ahmet Jashari, ka thënë se sipas shënimeve në administratën e Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Idriz Thaçi, në vitin 2012 ka mbaruar Fakultetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

“Ai është regjistruar në studimet master në Fakultetin e Gjeoshkencave – Xehetari në vitin akademik 2014/15, pasi i ka dhënë provimet plotësuese”, ka thënë ai.

Në të njejtin universitet punon edhe gruaja e Presidentit, Lumnije Thaci. Së fundi ajo është emëruar aty edhe prodekane në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike.

Institucionet e synuara nga Thaçi

Dy institucionet kryesore që e rregullojnë sektorin minerar në Kosovë janë Komisioni për Miniera dhe Minerale (KPMM) dhe ndërmarrja “Trepça”, e cila ka në pronësi pothuajse të gjithë pasurinë nëntokësore të Kosovës.

ORAinfo përmes burimeve të sigurta ka marrë vesh se pas kryerjes së studimeve, Thaçi është duke synuar të marrë pozitë në Bordin e njërit prej këtyre institucioneve. Aktualisht Bordi i Trepçës është funksionalizuar dhe janë zgjedhur anëtarët e rinj.

“Thaqi po synon pozitë në KPMM”, i kanë thënë burime të sigurta gazetës. Në mandatin e KPMM-së është licencimi i kompanive që synojnë të investojnë në sektorin minerar të Kosovës.
Në telefonin që Thaçi e ka lënë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve ka qenë i pamundur kontakti me të.

Në konkursin e fundit të shpallur për anëtarë të Bordit të Trepçës, ka qenë si kriter kryesor pikërisht diploma në fakultetin ku vëllai i presidentit i ka të kryera studimet, meqë është i vetmi fakultet në Kosovë që ofron studimet për sektorin minerar. Burime të sigurta, të afërta me sektorin minerar, i kanë thënë gazetës se Thaçi njihet si me mjaftë ndikim në këtë sektor.

“Geo Mineral”, miliona në tender publik

Ky ndikim deri më tani ka qenë prezent përmes gurëthyesit “Geo Mineral” në të cilin Idriz Thaçi figuron si pronarë, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK). Kjo kompani ka historik të bujshëm me tenderët publik në Kosovë.

“Geo Mineral” merret me nxjerrje të mineraleve dhe gjendet në një fshat të Malishevës, komunë e cila ishte qeverisur nga për një kohë të gjatë nga PDK-ja.

Gurëthyesi ishte regjistruar në ARBK në muajin maj të vitit 2008 në kohën kur Hashim Thaçi kishte bërë vetëm pesë muaj në karrigen e kryeministrit të vendit. Kompania kishte një fillim të fuqishëm në këtë biznes pasi që ishte angazhuar si nënkontraktor i “Bechtel-Enka”-s në ndërtimin e autostradës së Kosovës, por kishte fituar edhe tre tenderë publikë nga KEK-u, vlera totale e të cilëve është rreth 1 milion e 600 mijë euro.

“Geo Mineral” në vitin 2009 kishte fituar një tender në vlerë prej 1 milion e 200 mijë eurosh dhe një tjetër vlerë prej 205 mijë eurosh. Po ashtu një tender tjetër e fitoi në vitin 2011 dhe vlera e tij ishte mbi 150 mijë euro. Tenderet kishin të bënin me ndërtimin e linjës së re të gypit për furnizim me ujë të rëndomtë për Termocentralin “Kosova B” nga kanali Ibër-Lepenc si dhe për furnizim me material guror. /ORAinfo/

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!