Vërshojnë bizneset e reja në Kosovë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
16 °C

Vërshojnë bizneset e reja në Kosovë

17:38 | 02 Gusht 2018

Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), prezantuar në raportin “Repertori Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, tremujori i dytë 2018”, janë regjistruar gjithsej 2,636 biznese.

Sipas ASK-së, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2017, numri i bizneseve të regjistruara u rrit për 17.8 për qind, po ashtu krahasuar me tremujorin paraprak kishte rritje për 3.1 për qind.

Edhe në këtë tremujor, tregtia është aktiviteti që prinë për numrin e bizneseve të regjistruara.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin tregtia me 723 ndërmarrje të regjistruara apo 27.4 për qind, prodhimi me 299 ndërmarrje apo 11.3 për qind, akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 277 ndërmarrje apo 10.5 për qind, ndërtimtaria me 260 ndërmarrje apo 9.9 për qind, bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 198 ndërmarrje apo 7.5 për qind, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 170 ndërmarrje të regjistruara apo 6.4 për qind, ndërsa aktivitetet tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël”, thuhet në njoftimin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Për sa i përket numrit të punëtorëve, 96.2 për qind janë ato biznese që kanë nga 1 deri 4 të punësuar.

“Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2,537 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor apo 96.2 për qind, me 5 deri 9 të punësuar janë 61 sosh apo 2.3 për qind, 10 deri në 19 të punësuar 25 apo 0.9 për qind, 20 deri 249 të punësuar me 13 apo 0.5 për qind, ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruara gjatë këtij tremujori”, vijon njoftimi.

Rajoni i Prishtinës vijon të ketë numrin më të madh të bizneseve të regjistruara në këtë tremujor.

“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave ashtu si në çdo tremujorë mbizotëron komuna e Prishtinës me 660 ndërmarrje të regjistruara apo 25.1 për qind, Ferizaj me 233 me 8.9 për qind, Prizreni me 194 me 7.4 për qind, Gjilani me 159 me 6.1 për qind, Peja me 153 me 5.8 për qind, Gjakova me 102 me 3.9 për qind, ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor”, përfundon njoftimi.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!