Vetëvendosje nuk ka qenë kurrë alternativë për ta nxjerrë vendin nga kriza politike – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
18 °C

Vetëvendosje nuk ka qenë kurrë alternativë për ta nxjerrë vendin nga kriza politike

Shkruar nga: Milazim Krasniqi

21:04 | 18 Dhjetor 2017

VV nuk ka qenë kurrë alternativë për ta nxjerrë vendin nga kriza politike. Në fakt,VV është produkt i krizave të partive të tjera (LDK, PDK, LPK, LKÇK, AAK, etj.) dhe i pakënaqësisë së shqiptarëve me qëndrimin poshtërues të BE-së ndaj Kosovës.

Por, VV nuk ka arritur të ngrihet as mbi krizën e partive të tjera (gjë që u pa me krizen e saj te brendshme, e cila është e ngjashme me krizat e partive të tjera) e as mbi poshtërimin që na ka imponuar BE-ja (e cila për ta joshur Serbinë, ka kërkuar pretekst për izolimin e Kosovës.)

Përkundrazi, VV ka harxhuar shumë energji, në një mision të destinuar për dështim.

Naiviteti i shumë qytetarëve e ka adoptuar idenë se VV do t’i nxjerrë ata nga dëshpërimi dhe nga kriza, ndërsa VV ka shërbyer si karrem për të na e thelluar krizën. Partive në pushtet u ka shërbyer që të tregojnë se ato të paktën nuk janë të dhunshme, ndërsa BE-së i ka shërbyer që të arsyetojë izolimin e Kosovës, me jostabilitetin e saj.

Tash VV është në krizë, shteti në kollaps. Akterëve antiKosovë më nuk u duhet VV si pretekst, për izolimin dhe dështimin e Kosovës. Ata e kanë arritur qëllimin që kanë pasur. Dhunën e VV e kanë përdorur për hesapet e veta.

Si? Me fuqizmin e Listës Serpska, e cila do ta parandalojë çdo mundësi të krijimit të Forcave të Armatosura dhe do ta mbajë qeverinë nën presion permanent, me kushtëzimin e liberalizimit/integrimit, me gjykatën speciale.

Prandaj, tash ia kanë futur pykat për ta shkatërruar edhe VV, e cila është harxhuar në beteja të brendshme, më të shumtën donkishoteske.

Tash kushdo që të fitojë në VV, do të ketë një fitore të Pirros. Nga kriza e VV nuk fitojnë as partitë e tjera. As Kosova. Sërish fitojnë armiqtë e Kosovës.

(18 dhjetor 2017)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!