Vetëvendosje shpërblen të afërmit me ndërtimin e sheshit “Adem Jashari” – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Vetëvendosje shpërblen të afërmit me ndërtimin e sheshit “Adem Jashari”

12:50 | 13 Tetor 2017

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka vendosur që krejt në fund të mandatit të përkujdesët për riparimin e sheshit që gjendet në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës. Pllakat, përsëri do të blihen nga kompania e ish-kandidati për të deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jusuf Ulaj

Shkallë të dëmtuara, pllaka të thyera copë – copë e të dala nga vendi, hapësira të gjelbra të shkatërruara. Ka disa vite që kështu duket sheshi “Adem Jashri”, në Prishtinë, i cili ende për simbol ka monumentin kontestues të “Vllaznim-Bashkimit” dhe jo atë të heroit shqiptarë të luftës së fundit në Kosovë me të cilin edhe është pagëzuar, shkruan lajmi.net.

Sheshi pritët të shtrohet më pllaka nga kompania “RUB” e cila për pronarë ka Jusuf Ulaj, ish kandidat i Vetëvendosjes për deputet, dhe njëherësh udhëheqës i komitetit për shëndetësi në këtë parti.

Në vend të ndëshkimit për shkak shkeljes së kontratës, për mos kryerjen në kohë të punëve për ndërtimin e Bulevardit mbi Kurrizi, zyra e prokurimit e Komunës së Prishtinës ka vendosur që përsëri të shpërblej me tender kompaninë “Rexha”, e cila se bashku me kompaninë “Eko group” janë përzgjedhur fitues për tenderin “Sanimi i dyshemesë urbane të Sheshit “Adem Jashari”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 311.853,00 euro dhe në garë për këtë tender ka qenë edhe një grup tjetër i operatorëve. Si nënkontraktor është kompania “RUB” e cila do të prodhojë pllakat për shesh, me pllakat e të cilës janë shtruar disa vende në Prishtinë, pas ardhjes në kryej të Prishtinës së kryetarit Shpend Ahmeti.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, pronarë të kompanisë “Eko Grou” janë Esat Rexha e Besnik Krasniqi. Pronarë i kompanisë “Rexha” është Samir Rexha. Kompania “RUB” e cila bënë prodhimin e pllakave dhe e cila është nëkontraktorë në këtë tender, ka për pronarë, Jusuf Ulaj, Esat Rexha, Samir Rexha dhe Afrim Blyta.

Pos Bulevardit mbi Kurriz, me produktet e kompanisë së kandidatit për deputet të Lëvizjes Vetëvendosje është shtruar edhe sheshi “Luan Haradinaj” në Prishtinë, edhe Bulevardi “Perandori Justinian” tek Katedralja (Tre sheshirat).

Kjo kompani ka përfituar miliona euro nga qeverisja e Shpend Ahmetit.

Ndërtimi i Platos mbi “Kurriz” të lagjes “Dardania” në Prishtinë i ka tejkaluar të gjitha afatet kohore të kryerjes së punëve.

Më 8 qershor 2015, kompania “Rexha&Loni” dhe Komuna e Prishtinës kishin nënshkruar kontratë për ndërtimin e Bulevardit mbi “Kurriz” në lagjen “Dardania” në vlerë prej 948 mijë e 825 euro. Punimet ishin paraparë të kryhen për 180 ditë pune. Nga koha kur është lidhur kontrata e deri më tani janë bërë mbi dy vite.

Vitin e kaluar, mosmarrëveshjet mes Kuvendit të Kosovës, dhe Komunës së Prishtinës të cilat ndajnë pronësinë e hapësirave të sheshit, bënë që të humbej një donacion prej 270 mijë eurosh, nga DEMOS-i zviceran për rregullimin e sheshit.

Tash që janë marrë vesh për tejkalimin e problemit, nuk dihet saktë se cila do të jetë pamja e sheshit, këtë Komuna e Prishtinës do ta prezantojë pas nënshkrimit të kontratës, e cila metohët të bëhet në fillim të javës së ardhshme.

Por, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook, në vitin 2015 kishte publikuar planin se si do të duket sheshi “Adem Jashari”.

Më poshtë mund të shihni ‘njoftimin për dhënie të kontratës’ dhe të dhënat fillestare për kompanitë të marra nga arbk.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!