Vijat “Ilinstitucionale“ në Kosovë, vija e dr. Bukoshit (II) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
10 °C

Vijat “Ilinstitucionale“ në Kosovë, vija e dr. Bukoshit (II)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

15:33 | 06 Gusht 2018

“Institucionalistët” Rugova dhe Bukoshi, të paaftë, frikacakë dhe të papërgatitur, për t’i prirë vetë çlirimit të Kosovës nga Serbia, ishin tërhequr e ishin mbyllur në vetvete; ishin vetizoluar edhe nga bashkëvendësit e tyre, madje edhe nga njëri-tjetri. Kështu ua kishin hapur rrugën “joinstitucionalistëve“ dhe “antiinstitucionalistëve“, pët t’i prirë çlirimit të Kosovës dhe në anën tjetër, ata ankoheshin se prej tyre po pengoheshin ta bënin punën e vetë, si “istitucionalistë“, për çlirimin e vendit. Pra, në fakt, dr. Rugova dhe dr. Bukoshi, mezi kishin pritur daljen në skenë të “joinstitucionalistëve“ dhe të “antiinstitucionalistëve“ dhe përballjen e tyre me Serbinë, me qëllim që ata vetë, t’i ruanin edhe për më vonë, të paprekura, “kostumet institucionale“ të tyre.

*****
Nën “kostumin institucional“, krahas Vijes së dr. Rugovës, ndër shqiptarët e Kosovës ishte krijuar edhe një vijë tjetër, – Vija “institucionale“, në fakt, Vija personale, private dhe e dyshimtë, e dr. Bukoshit, e cila, për dallim nga Vija e “moderuar“, e butë e kryetarit Rugova, ishte e njohur si Vija “radikale“, e “fortë“ e kryeministrit Bukoshi. Por, ky ishte dallim vetëm nominal ndërmjet “institucionalistëve“ tanë. Dallimi real kryesor ishte konsekuenca, përkatësisht moskonsekuenca, e tyre, në vijat e “ndara“ “institucionale“, Bukoshi e Rugova.

Derisa tek “institucionalisti“ Rugova kishte konsekuencë të plotë në deklaratat e tij, madje edhe ndërmjet deklaratatve dhe “veprimeve“ të tij; tek “institucionalisti“ tjetër, Bukoshi, s’kishte konsekuencë, jo vetëm ndërmjet deklaratatve dhe “veprimeve“, por as ndërmje deklaratave të tij.

Fillimisht, kur ishte në Vijen e kryetarit Rugova, Kryeministri Bukoshi ishte zotuar se do ta zbatonte Kushtetutën e Kaçanikut (1990). Më vonë, kur patën filluar “mosmarrëveshjet“ Bukoshi-Rugova, për fondet, ai i avancoi radikalisht dektaratat e tij publike, që binin ndesh me Vijen “institucionale“ të dr. Rugovës.

Në prag të vitit shkollor-akademik, 1996/97, dr. Bukoshi kishte kërkuar publikisht kthimin e nxënësve dhe të studentëve shqiptarë në objektet e tyre shkollore e universitare, qoftë edhe me forcë, gjë që binte ndesh me kërkesën e dr. Rugovës për vazhdimin e mësimeve dhe studimeve, nëpër shtëpitë-shkolla.

Kjo deklaratë ishte aq e fortë, por, përkundër saj, dr. Bukoshi, që e kishte veshur “kostumin institucional“, nuk kishte bërë asnjë përgatitje konkrete për kthimin me forcë, në objektet shkollore e universitare, të nxënësve e të studentëve shqiptarë.

Në një rast tjetër, në eufori e sipër, dr. Bukoshi deklaronte se në një moment të duhur, Kosova mund të nxirrte 200 000 (dyqindmijë) ushtarë nën armë, gjë që binte ndesh me dr. Rugovën, sipas të cilit, në rast të shpërthimit të luftës në Kosovë, shqiptarët do të kishin 200 000 (dyqindmijë) viktima.

Edhe kjo deklaratë e tij ishte aq e fortë, por, përkundër saj, dr. Bukoshi, që e kishte veshur “kostumin institucional“, nuk i kishte bërë as “dy gurë bashkë“, të gatshëm për mbrojtjen e Kosovës.

Në një rast tjetër, dr. Bukoshi deklaronte se qeveria që ai e kryesonte nuk kishte më mandat, por më vonë, kur UÇK-ja kishte dalë në skenë, ai, i nxituar dhe në gjendje emocionale, deklaronte publikisht, se Qeveria e Republikës së Kosovës (pra, qeveri e tij, që s’kishte më mandat), e kishte Ministrinë e Mbrojtjes. Më vonë, ai e kishte zbutur deklaratën për “Ministrinë e Mbrojtjes“, dhe atë e kishte zëvendësuar me “koordinatorin“, përkatësisht me “pikën“.

Pas shpërthimit të luftës në Kosovë, kryeministri Bukoshi, në njërën anë zotohej se do t’i kryente detyrat e tij kushtetuese, në anën tjetër deklaronte se “ishte në pritje të vendimeve politike, që do të merren në Kosovë“ (aludonte në vendimet e Vijes së dr. Rugovës), ndërkohë që dihej se ai, si kryeministër, nuk kishte kurrëfarë kontakti me dr. Rugovn, si kryetar i Kosovës, nga i cili i pritte vendimet politike.

Kur u duk që UÇK-ja po fitonte “terren“ në Kosovë dhe, sidomos, në Mërgatën shqiptare dhe, sidomos, kur, në fillim të vitit 1999, u shpeshtuan kontaktet e të huajve me përfaqësuesit dhe me zëdhënësit e saj, kryeministri Bukoshi, krejtësisht papritur, kishte deklaruar se “UÇK-ja është e vetmja forcë mbrojtëse e Kosovës“. Megjithëkëtë, në anën tjetër, mjetet financiare të mërgimtarëve shqiptarë, për UÇK-në, të derdhura në fondin e 3 % – shit, ai nuk ia kishte dhënë UÇK-së.

Mund të renditen edhe shumë deklarata të këtilla, kontraverze, të këtij njeriu që e kishte veshur “kostumin institucional“, për të cilat nuk mund të sigurohej asnjë mbulesë.

Ky njeri (dr. Bukoshi), që ka pasur fatin, por edhe fatkeqësinë për të qenë kryeministri i parë , në ekzil, i Republikës së Kosovës, për dy mandate si kryeministër, përveç punës së taksambledhësit, s’kishte krijuar, madje as ishte përpjekur të krijonte, ndonjërën prej kolonave, ose ndonjërin prej shërbimeve a mekanizmave të tjetë shtetërorë, të Republikës së Kosovës.

Në vend që ta kompletonte kabinetin e tij dhe t’i krijonte strukturat e domosdoshme shtetërore, për ta pasur gjithë situatën në dorë, ai qysh heret, ishte “liruar“ nga dy ministrat e tij kryesorë, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Punëve të Brendshme. Më vonë, ai ishte “liruar“ edhe nga një ministër tjetër, ministri i Informatave. Dy ministra të tjerë, ministri i Drejtësisë dhe i Arsimit, nuk kishin kurrëfarë ndikimi në “Qeverinë Bukoshi“, pra ishin “si me qenë, si mos me qenë“, në atë qeveri. Ministri më i besueshëm i tij, ai i Financave, ia mbante “qesen“, të mbushur me fondet e mërgimtarëve tanë, të dedikuara për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Dr. Bukoshi vetë, ndërkaq, i veshur me “kostumin institucional“, i mbyllur në vetvete dhe i vetizoluar, bëhej sikur po merrej me të gjitha punët, pa qenë në gjendje për ta kryer asnjërën.

Gjendjen mobile të mërgimtarëve shqiptarë, pas masakrave të bandave serbe në Drenicë, të paparë deri atëherë; gatishmërinë e tyre për mbështetjen financiare të UÇK-së dhe për t‘iu bashkuar edhe vetë UÇK-së; besimin e madh të mërgimtarëve tanë në dr. Bukoshin, si kryeministër i Kosovës; pra, gjithë atë potencial, aq të madh, që do të mund ta shfrytëzonte për ta ndihmën luftën në Kosovë, dr. Bukoshi e lëshoi nga dora.

Prej të gjitha ofertave të mërgimtarëve shqiptarë, njeriu i veshur me “kostumin institucional“, në emër të mbështetjes së UÇK-së i kishte marrë vetëm fondet e tyre, por as me ato fonde nuk e kishte ndihmuar UÇK-në.

Dr. Bukoshi bashkë me dr. Rugovën, kanë pasur mundësi ta shpallnin ngrirjen e aktiviteteve politike të të gjitha grupimeve në Mërgatën shqiptare, të paktën përkohësisht, deri në përfundimin e luftës në Kosovë, por nuk e kishin marrë një vendim të këtillë;

Kanë pasur mundësi të mbanin lidhje me grupet emergjente, të vetëkrijuara dhe të vetorganizuara, që u vunë në disponim të “institucioneve“ tona, por ata as që ishin të interesuar për lidhjet me këto grupe;

Kanë pasur mundësi të afronin rreth tyre të rinj e të reja, të sapodalë nga universitetet e Perëndimit, që pritnin me muaj për një takim me “institucionalistët“ tanë, por ata nuk i kishin pranuar, as për konsultime, në zyrat e Qeverisë së Kosovës;

Kanë pasur mundësi të afronin rreth tyre personalitete të shquara të grupimeve politike e jopolitike të Mërgatës shqiptare, që vepronin në Perëndim dhe që ishin të gatshëm për t’u angazhuar për çlirimin e Kosovës, por ata nuk ishin në “sferën e interesit“ të “institucionalistëve“ tanë;

Kanë pasur mundësi t’i mënjanonin nga skena politike, elementët e dyshimtë dhe destruktivë, që ishin shumë aktivë në kontaktet me mërgimtarët tanë dhe të dëmshëm për UÇK-në e për luftën në Kosovë, por ata nuk ishin pengesë për “institucionalistët“ tanë.

Atë që iu interesonte “institucionalistëve“ tanë, “kostumi Institucional“ dhe xhepat e tij të mbushur me fondet e mërgimtarëve shqiptarë, ata e kishin siguruar gjatë dy mandateve të “qeverisjes“ së tyre me shqiptarët e Kosovës. Vetë dr. Bukoshi, e kishte përsëritur publikisht, më se një herë, se ai ishte “përgjegjës vetëm për paratë e mërgimtarëve tanë“, që ai i mbante në qesen e tij, por, siç dihet, as për ato para, ai nuk kishte dhënë llogari.

Pra, rrjedhimisht, kryetari Rugova dhe kryeministri Bukoshi, të paaftë, frikacakë dhe të papërgatitur, për t’i prirë vetë çlirimit të Kosovës nga Serbia, ishin tërhequr e ishin mbyllur në vetvete. Ata ishin vetizoluar edhe nga bashkëvendësit e tyre, madje edhe nga njëri-tjetri.

Kështu, ata vetë ua kishin hapur rrugën “joinstitucionalistëve“ dhe “antiinstitucionalistëve“, pët t’i prirë çlirimit të Kosovës dhe në anën tjetër, ankoheshin se prej tyre po pengoheshin ta bënin punën e vetë, si “istitucionalistë“, për çlirimin e vendit.

Pra, në fakt, “institucionalistët“ Bukoshi dhe Rugova, mezi kishin pritur daljen në skenë të “joinstitucionalistëve“ dhe të “antiinstitucionalistëve“ dhe përballjen e tyre me Serbinë, me qëllim që ata vetë, t’i ruanin edhe për më vonë, të paprekura, “kostumet institucionale“ të tyre. (VAZHDON)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!