“Vijat institucionale“ në Kosovë (III) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
12 °C

“Vijat institucionale“ në Kosovë (III)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

16:12 | 06 Gusht 2018

VIJA INSTITUCIONALE, QË DO T’IU PRINTE SHQIPTARËVE NË LUFTË, – NUK EKZISTONTE

Qëndrimi në krye të Presidencës, përkatësisht në krye të Qeverisë së Kosovës, në dy mandate të legjitimuara me votën e zgjedhësve, gjatë viteve ’90-a të shek. të kaluar, pa krijuar asnjë kolonë shtetërore, asnjë shërbim apo mekanizëm tjetër shtetëror, që do të çonte në konsolidimin e institucioneve të Kosovës dhe që, pastaj, do t’iu mundësonte kontrollimin e plotë të gjendjes dhe të situatës në vend dhe në Mërgatën shqiptare, nga ana e tyre, – është tregues i qartë se dr. Rugova dhe dr. Bukoshi, në fakt, ishin si të porositur dhe të kurdisur për njëri-tjetrin dhe, bashkërisht, për ta frenuar dhe për ta shndërruar në kënetë, Lëvizjen tonë kombëtare për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
***
Në kohën kur dr-të Rugova dhe Bukoshi u ngritën në krye të “institucioneve“ kryesore të Kosovës, në Presidencë dhe në Qeveri, në fillim të viteve ’90-a, Lëvizja jonë kombëtare ishte unike, e gjallë, homogjene dhe mobile, në kuptimin më të lartë të fjalës, që u përgjigjej kushteve nën okupimin serb, që ndodhej në atë kohë Kosova. Atëbotë, Rugova dhe Bukoshi gëzonin përkrahjen absolute të të gjitha grupimeve politike dhe jopolitike, si dhe, pothuaj, të të gjithë shqiptarëve të Kosovës dhe të Mërgatës sonë.

Megjithëkëtë, ata jo vetëm nuk arritën ta ruanin e ta kultivonin edhe më tutje, atë gjendje, por, në saje edhe të “meritave“ të tyre, në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë, Lëvizja jonë kombëtare ishte shkapërderdhur dhe përçarë deri në pikën më të skajshme të saj dhe më të rrezikshme për Kosovën dhe për shqiptarët.

Dr. Rugova dhe dr. Bukoshi, deri në vitet 1989/90, kanë pasur kapital intelektual dhe profesional, si shumë figura të tjera të shqiptarëve në Kosovë, por jo edhe kapital politik, as kombëtar, si, bie fjala, Adem Demaçi dhe Ukshin Hoti, në atë kohë.

Në opinion, ata u bënë të njohur, në kuadër të Grupit inicues dhe, pastaj, themelues të LDK-së, krijesë e re shoqërore e shqiptarëve në Kosovë, e para pas rënies së një krijese tjetër shoqërore, Lidhjes Komuniste, në atë kohë të vjetruar.

Në Krahasim me Bukoshin, Rugova i kishte disa përparësi: ai kishte filluar të bëhej emër i dëgjuar e i njihur, me fjalën e tij, krahas Profesor Qosjes, në takimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (SHSHK) me Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë (SHSHS) dhe, më vonë, me disa intervista dhënë mediave të huaja, para themelimit të LDK-së.

Zgjedhja Kryetar i LDK-së dhe, më vonë, edhe Kryetar i Republikës së Kosovës, e bënë dr. Rugovën emër edhe më të njohur, ndër shqiptarët e më gjerë, ashtu siç e bëri, më vonë, emër të njohur edhe dr. Bukoshin, emërimi i tij në postin e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Emërimi në postin nr. 2 të Republikës së Kosovës, dr. Bukoshit ia kishte qitur thesin në shpinë dhe ia kishte hapur derën e madhe të rrugës së gjatë të mërgimit, për t’u mallur e çmallur me të gjithë shqiptarët e botës, por, njëkohësisht, ia kishte mbyllur derën e vogël të kthimit në Kosovë. Bukoshi, pra, i shkëputi lidhjet me LDK-në dhe, kështu, nuk kishte asnjë mundësi për të ndikuar në zhvillimet brenda e jashtë saj, në Kosovë.

Dr. Rugova, ndërkaq, i zgjedhur në postin nr. 1 të Republikës së Kosovës, e kishte vazhduar qëndrimin e tij edhe në postin nr. 1 të LDK-së. Ai, pra, nuk i kishte shkëputur lidhjet me partinë e tij dhe, kështu, në krahasim me Bukoshin, Rugova i kishte siguruar vetvetes përparësi të mëdha. Sipas rastit dhe sipas nevojës, ai mund të paraqitej herë si Kryetar i LDK-së, herë si Kryetar i Republikës së Kosovës.

Ndër shqiptarët, dr. Rugova paraqitej dhe pranohej si Kryetar i Republikës së Kosëvës, pra, si kryetar shteti, ndërsa ndër ndërkombëtarët, ai paraqitej dhe pranohej si Kryetar i LDK-së, pra, si kryetar partie, përkatësisht si lider i shqiptarëve. Dr. Rugova, kështu, vetvetes ia kishte lënë të hapura të gjitha rrugët, të gjitha dyert, në Kosovë dhe jashtë saj.

Bashkë me ndarjen e dy posteve kryesore shtetërore, mes tij dhe Bukoshit, dhe me ruajtjen e postit të kryetarit të LDK-së për vetveten, dr. Rugova, i hajthëm dhe i zgjuar, dhe rrethi i tij i ngushtë partiak në Prishtinë, e kishin filluar “hilenë“ me Bukoshin-taksambledhës, të emëruar “kryeministër“ në ekzil, pa kurrfarë rrethi e ndikimi brenda LDK-së, as në Kosovë.

Ky i fundit, me gjasë, e kishte kuptuar më vonë këtë “hile“ dhe, përkundër disa kundërshtimeve vetëm verbale, kundrejt dr. Rugovës (si: “Presidenca dhe Qeveria nuk kanë më mandat dhe nuk janë më legjitime“, etj.) ishte pajtuar tërësisht me “hilenë“ e Rugovës & Co, ashtu siç ishte pajtuar plotësisht edhe dr. Rugova me punën e vetme të Bukoshi, si taksambledhës në Mërgatën shqiptare, përkundër ndonjë kundërshtimi të tërthortë, kohë pas kohe, poashtu vetëm verbal, kundrejt tij (si: “deklaratat e Bukoshit janë private“, etj.).

Megjithëqë të zgjedhur në krye të Presidencës, përkatësisht në krye të Qeverisë së Kosovës – dy institucione kryesore të shtetit, aq të lidhura dhe të ndërvarura me njëra-tjetrën, Bukoshi dhe Rugova kanë vepruar krejtësisht të pakordinuar dhe të pavarur nga njëri-tjetri. Opinioni shqiptar nuk mban në mend ndonjë takim ndërmjet tyre, madje, as pas fillimit të luftës në Kosovë, as gjatë vazhdimit të saj.

Kryetari Rugova nuk mbahet në mend të ketë nxjerrë ndonjë vendim, dekret, ose urdhër, drejtuar kryeministrit Bukoshi, për krijimin e kolonave të shtetit të pavarur të Kosovës, të shpallur në bazë të referendumit gjithëpopullor (1991), dhe të shërbimeve e të mekanizmave të tjerë shtetërorë të atij shteti, kryetar i të cilit ishte zgjedhë me votën e popullit;

Bukoshi, nga ana tjetër, as ishte lodhur, as ishte mërzitur nga pritja e gjatë, e “vendimeve politike“ të Kryetarit Rugova, që s’po i vinin. Përkundrazi. Ai vazhdonte, i qetë, punën e tij si taksambledhës, në Mërgatën shqiptare.

Megjithë këto “kundërshtime“, ata kanë “bashkëjetuar“ në “harmoni” të plotë me njëri-tjetrin. Rugova nuk kishte provuar ta shkarkonte nga posti kryeministrin Bukoshi e ta zëvendësonte me ndonjë tjetër, edhepse për shkarkimin e tij ishte deklaruar disa herë, edhe publikisht, por as Bukoshit s’i kishte shkuar as ndërmend të jepte dorëheqje nga posti i kryeministrit, në shenjë pakënaqësie me Rugovën.

“Harmonia“ e plotë ndërmjet “institucionalistëve“ Rugova dhe Bukoshi, u dëshmua praktikisht gjatë viteve të luftës (1998/99). Në vend që të qëndronin në ballë të zhvillimeve në Kosovë dhe t’iu prinin edhe në luftë shqiptarëve, nga të cilët e kishin kërkuar dhe e kishin marrë votën, dr-të Rugova dhe Bukoshi ishin pajtuar të qëndronin në bisht të zhvillimeve e të luftës në Kosovë dhe të tërhiqeshin zvarrë pas tyre.

Pra, kështu, u dëshmua qartë se ajo që quhej “Vija institucionale“ ekzistonte vetëm në kokat e shqiptarëve të Kosovës dhe të atyre të Mërgatës sonë, por, praktikisht, përkundër dëshirave dhe pritjeve të pjesës dërrmuese të shqiptarëve, Vija institucionale, që do t’i printe luftës për çlirimin e Kosovës nga Serbia, – nuk ekzistonte.

Qëndrimi në krye të Presidencës, përkatësisht në krye të Qeverisë së Kosovës, në dy mandate të legjitimuara me votën e zgjedhësve, gjatë viteve ’90-a të shek. të kaluar, pa krijuar asnjë kolonë shtetërore, asnjë shërbim apo mekanizëm tjetër shtetëror, që do të çonte në konsolidimin e institucioneve të Kosovës dhe që, pastaj, do t’iu mundësonte kontrollimin e plotë të gjendjes dhe të situatës në vend dhe në Mërgatën shqiptare, nga ana e tyre, – është tregues i qartë se dr. Rugova dhe dr. Bukoshi, në fakt, ishin si të porositur dhe të kurdisur për njëri-tjetrin dhe, bashkërisht, për ta frenuar dhe për ta shndërruar në kënetë, Lëvizjen tonë kombëtare për çlirimin e Kosovës nga Serbia. (VAZHDON)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!