Vijat “institucionale“ në Kosovë, vija e dr. RUGOVËS (I) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
12 °C

Vijat “institucionale“ në Kosovë, vija e dr. RUGOVËS (I)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

20:37 | 24 Korrik 2018

LDK-ja, pasi kishte vendosur monopol në jetën politike të shqiptarëve në Kosovë dhe në jetën e mërgimtarëve tanë, ishte tërhequr dhe ishte mbyllur brenda vetvetes, pa pranuar asnjë ndikim nga grupimet e tjera politike a jopolitike, as nga personalitetet e shquara shqiptare, të asaj kohe, të paparti.

Dr. Rugova, pasi i kishte marrë në dorë frenat e të gjitha zhvillimeve në Kosovë, ishte tërhequr brenda vetvetës dhe ishte mbyllur herë në shtëpinë e tij, herë në ndërtesën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (SHSHK), pa pranuar, jo vetëm ndikime e konsultime, por as kontakte, me personalitete të tjera të shquara të Kosovës.
*****
Ndarja e shqiptarëve në Vijen “institucionale“ dhe në atë “joinstitucionale“, zë fill në krijimin e LDK-së, në vitet 1989/90. Kristalizimi i saj, pastaj, fillon menjëherë pas Zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, të vitit 1992, për t’u ntrashur, në vazhdimësi, gjatë gjithë viteve ’90-a, në Kosovë dhe në Mërgatën shqiptare.

LDK-ja, duke qenë partia e parë politike, e kohës së fillimit të sistemit shumëpartiak dhe pluralizmit politik në Kosovë, ishte shtrirë shpejt, ishte masovizuar dhe ishte shndërruar në një lëvizje politike me ndikim shumë të madh, ndër shqiptarët e Kosovës dhe ata të Mërgatës sonë.

Grupimet e tjera politike, të shumta në numër, por me pak anëtarë, që ishin formuar në atë kohë, por edhe më vonë, nuk kishin kurrëfarë ndikimi ndër shqiptarët. Madje, në saje të angazhimit dhe aktivitetit të kryetarëve të tyre, ato ishin vetëm sa për të qenë dhe, praktikisht, qëndronin nën hijen e LDK-së, ose ishin shndërruar në degë të saj.

LDK-ja, kështu, kishte vendosur monopol në jetën politike të shqiptarëve në Kosovë dhe në jetën e mërgimtarëve tanë. Ajo, pastaj, ishte tërhequr dhe ishte mbyllur brenda vetvetes, pa pranuar asnjë ndikim nga grupimet e tjera politike a jopolitike, as nga personalitetet e shquara të asaj kohe, të paparti, që pritnin, si terzitë pa penj, pa qenë në gjendje të ndërmirrnin ndonjë veprim.

Pra, çdo gjë që ishte bërë, ose që nuk ishte bërë, në vitet ’90-a, deri kur UÇK-ja doli furishëm në skenë, ishte “vepër“ e LDK-së së dr. Rugovës.

Lëvizja e fuqishme mbarëkombëtare e shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, e fillimit të viteve ’90-a, të shek. të kaluar, kështu, e kishte marrë tatëpjetën. Ajo ishte stërkequr dhe ishte reduktuar në një parti të vetme politike, në LDK, por ky nuk ishte edhe fundi i tatëpjetës së saj.

Atë që e kishte bërë LDK-ja, në raportet e saj me personalitetet dhe grupimet politike e jopolitike në Kosovë dhe me Mërgatën shqiptare, natyrisht në krye me dr. Rugovën, ky i fundit e kishte përsëritur, pothuaj pikë për pikë, në raportet e tij me personalitetet të njohura brenda LDK-së dhe me vetë LDK-në.

Pas zgjedhjeve të para për Presidencën dhe Parlamentin e Kosovës (1992), në të cilat ishte zgjodhë kryetar i Republikës së Kosovës, dr. Rugova i kishte marrë në dorë frenat e të gjitha zhvillimeve në Kosovë. Pastaj, ishte tërhequr brenda vetvetës dhe ishte mbyllur herë në shtëpinë e tij, herë në ndërtesën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (SHSHK), pa pranuar, jo vetëm ndikime e konsultime, por as kontakte, me personalitete të tjera të shquara të Kosovës.

Të vetmen lidhje me popullin, që ia kishte dhënë votat dhe që e dinte për kryetar të Republikës së Kosovës, dr. Rugova e mbante përmes gazetarëve, në konferencat e tij të përjavshme për shtyp.

Nga SHSHK-ja, ai i dënonte vrasjet, rrahjet, burgosjet dhe krimet e tjera të regjimit mizor serb, mbi shqiptarët e Kosovës, duarthatë e të pambrojtur; iu bënte thirrje shqiptarëve për durim dhe për vetëpërmbajtje, që të mos e provokonin situatën; dhe i bënte thirrje Bashkësisë ndërkombëtare për njohjen formale të pavarësisë së Kosovë.

Krahas kontakteve të tij me ndërkombëtarët, ky ishte, kryesisht, i gjithë aktiviteti i dr. Rugovës, si kryetar i Republikës së Kosovës, i përcjellë nga bashkëpunëtorët e tij, që, të shushatur, i dëgjonin çdo të premte, frazat e stërpërsëritura të shefit të tyre.

Kështu, pas tatëpjetës së Lëvizjes së fuqishme mbarëkombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe stërkeqjes e reduktimit të saj në një parti të vetme politike, në LDK; pas Zgjedhjeve 1992, – edhe fuqia potenciale e LDK-së, e kishte marrë tatëpjetën dhe ishte stërkequr e reduktuar në një person të vetëm, në personin dr. Rugova, që, tashmë, i mbante frenat e të gjitha zhvillimeve në Kosovë dhe në Mërgatën shqiptare.

Opinionit tonë nuk i është i njohur ndonjë rast, që dr. Rugova, si kryetar i Republikës së Kosovës, gjatë “qeverisjes“ së tij me shqiptarët, të ketë pasur ndonjë konsultim të gjerë me grupimet politike dhe ato jopolitike, me gratë dhe vajzat, me djemt dhe burrat e fortë të Kosovës, për të marrë ndonjë vendim të prbashkët, për fatet e popullit e të vendit. Për më tepër, ai as që kishte denjuar t’i kontaktonte ata.

As bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, nuk kanë bërë të ditur, madje as që dijnë, për ndonjë konsultim të tij, brenda vetë LDK-së, për të marrë bashkërisht ndonjë vendim, që do të ndikonte në ndryshimin e kahut të zhvillimeve në Kosovë.

Demaçi i Partisë Parlamentare, rektori dhe studentët e UP-së, e shumë personalitete të tjera shqiptare, kishin pritur kot, me orë dhe me ditë, para dyerve të Presidencës së Kosovës, për ta takuar, për konsultime, dr. Rugovën, kryetar i Republikës.

Dr. Rugova, si Kryetar i Republikës, nuk kishte denjuar t‘ takonte dhe të bashkëpunonte me forcat e tjera politike dhe ushtarake të Kosovës, as atëherë kur Kosova po digjej në flakën e bandave serbe dhe kur të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Kosovës, madje edhe faktorët ndërkombëtarë, kërkonin takimin dhe bashkëpunimin e të gjitha forcave tona politike dhe ushtarake.

Pra, LDK-ja, nga një parti masive, me një potencial të madh e të fuqishëm njerëzor, u stërkeq dhe u reduktua në Vijen “institucionale“, në fakt, në Vijen personale, private dhe të dyshimtë të një personi të vetëm, të personit dr. Rugova, të veshur me kostumin institucional.

Nën kostumin institucional, ishte krijuar edhe një vijë tjetër, – Vija “institucionale“, në fakt, Vija personale, private dhe e dyshimtë, e dr. Bukoshit, e cila, në krahasim me Vijen e butë të kryetarit Rugova, ishte e njohur si Vija e fortë, radikale, e kryeministrit Bukoshi. (VAZHDON)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!