Vjedhja e flamurit, flet Policia e Kosovës – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Vjedhja e flamurit, flet Policia e Kosovës

21:53 | 13 Shkurt 2018

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Express se flamuri shtetëror i Kosovës, i cili do të duhej ta zëvendësonte sonte flamurin kombëtar shqiptar te “Rrethi”, në hyrje të Prishtinës, është vjedhur.

Derisa zjarrfikësit po bëheshin gati ta nxirrnin flamurin shtetëror nga një veturë në të cilën po mbahej, ai është zhdukur.

Në një prononcim për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, ka thënë se personat përgjegjës për vendosjen e flamurit të Kosovës te “Rrethi” e kanë njoftuar Policinë se dikush ua ka marrë flamurin.

Borovci ka thënë se për këtë incident ende nuk është hapur rast në Polici.

Ndërkohë, njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Pas gati dy orëve përpjekje, është arritur që të zbritet në tokë flamuri kombëtar te “Rrethi”, në hyrje të Prishtinës, që më pas të zëvendësohet me flamurin shtetëror të Kosovës.

Menjëherë pas heqjes së flamurit të Shqipërisë kanë reaguar ashpër disa qytetarë, teksa policia është detyruar ta largojë njërin prej tyre me forcë.

Në vendin e ngjarjes janë parë edhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët janë angazhuar që ta zbatojnë urdhrin e kryeministrit Ramush Haradinaj që flamuri i Kosovës të ngrihet sonte.

Mosfunksionimi i një mekanizmi për uljen e flamurit ka bërë që të thirren zjarrfikësit, për të ndihmuar në vendosjen e flamurit shtetëror të Kosovës.

Autoritetet kanë thënë se janë të vendosura ta përmbushin urdhrin e Kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, për vënien e flamurit gjatë natës së sotme.

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje vite më parë e kishin larguar flamurin e Kosovës, për ta vënë atë të Shqipërisë.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!