Vushtrria, qyteti që frymon me poezinë shqipe – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
5 °C

Vushtrria, qyteti që frymon me poezinë shqipe

19:48 | 10 Janar 2018

Përgatiti: Flonja Haxhaj

Që nga viti 1979 (me përjashtim të vitit 1981 dhe viteve të luftës), në qytetin e vjetër të Vushtrrisë është organizuar aktiviteti më i rëndësishëm në këtë qytet, Takimet e Poeteshave Shqiptare.

Nismëtarë të këtij organizimi janë Fahri dhe Naxhije Buçinca, veprimtarë të njohur në qytetin e Vushtrrisë. Takimet e poeteshave shqiptare ka karakter garues dhe në të mund të marrin pjesë poete nga të gjitha vendet ku ka shqiptarë si: Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni, Lugina e Preshevës dhe Diaspora.

Festivali Takimet e Poeteshave Shqiptare, është festivali i vetëm, i tillë, në të gjitha trevat shqiptare. Ne këtë festival mblidhen poetet nga të gjitha anët ku jetojnë edhe frymojnë shqiptarët. Ky festival ka për qëllim ruajtjen e vlerave poetike dhe kultivimin e poezisë së bukur shqipe.

Që nga fillimet e para e deri më sot, ky festival i poezisë ka pasur shumë ndryshime, mirëpo, karakteri i tij ka mbetur pothuajse i njëjti, të mbledhë poetet shqiptare nga të gjitha anët e botës, për të garuar për poezinë më të mirë.

Ish-drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qytetin e Vushtrrisë, Shpresa Rama thotë që gjatë viteve të fundit në krahasim me vitet e fillimit, ky festival ka pasur ndryshime të mëdha, ku ndër to thekson kodimin e poezive në mënyrë që vlerësimi të jetë sa më korrekt -“gjatë viteve te fundit, ka ndryshuar krejtesisht mënyra e organizimit, duke filluar prej mënyrës së vlerësimit ku poezitë kanë qenë të koduara dhe emrat e jurisë janë mbajtur në konfidencë deri në ditën kur i kanë shpallur rezultatet në mënyrë qe vlerësimi të jetë sa më objektiv”- është shprehur Rama.

Këtë vit është organizuar edicioni i 35-të i këtij aktiviteti kulturor. Tani, në këtë aktivitet fillimisht poetet konkurojnë dhe pastaj zgjidhen poezitë më të mira. Të drejtën e konkurimit e kanë poetet mbi 16 vjeç. Poetet e përzgjedhuara vijnë një ditë më herët në Vushtrri, ku edhe mirëpriten nga zyrtarët e komunës. Ato shëtisin në qytetin e vjetër të Vushtrrisë. Pastaj, të nesërmen në qendrën e kultures “Hasan Prishtina”, mbahet nata e poezisë ku ndahen tre çmimet e para dhe çmimi debutuesja që shkon për poeten më të re në moshë.

Ndër të tjerash Rama tregon për edicionin e fundit, në të cilin poezitë u lexuan nga ana e aktorëve profesionistë, ndërsa poetet ndiheshin si mbretëresha, të ulura ne karrigën e poetes duke i dëgjuar vargjet. Kjo ishte më e veçantë dhe më ndryshe se sa herave të tjera. Ajo tregon që interesimi i poeteshave për këtë festival është rritur dukshëm gjatë viteve të fundit, ku si shembull  e merr vitin 2017 pasi që këtë vit kanë konkuruar 168 poete.

Për vite me radhë nga ky festival kanë dalë shumë poetesha fituese. Një ndër to është edhe Mirlinda Koxha, e cila ka qenë fituese e çmimit të parë në vitin 2014, si dhe pjesëmarrëse edhe në vitin 2017. Ajo thotë që ky aktivitet është një motivim i mirë për poeteshat shqiptare, pasi që i bënë ato që të punojnë më shumë : “është mirë kur të vlerësojnë, ky çmim në këtë festival më ka dhënë motiv të punoj më tutje”, ka thënë Koxha.

 

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!