Xhaka e Xherdani, një superterapi reale sociale, që zbuloi inferioritetin tonë kombëtar e shtetëror – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Xhaka e Xherdani, një superterapi reale sociale, që zbuloi inferioritetin tonë kombëtar e shtetëror

Shkruar nga: Fadil Maloku

16:47 | 28 Qershor 2018

1. Duket që si motivet ashtu edhe satisfaksioni social, në shoqëritë transitive ndryshojnë.

P.sh. pasioni i përcjelljes së lojërave të gjertanishme në kampionatin botërorë, ku lozin ca shqiptarë (Zvicra), me histerinë e manifestimit (krejt shqiptarët anembanë rruzullit ranë në delirium festiv!) dhe me natyrën e identifikimit me golat e Shaqirit dhe Xhakës, ishte i një natyre krejt specifike, krahasuar me publikun e kombëtareve pjesëmarrëse… Futbolli, si sport i “gladiatorëve” kolektiv bashkëkohor, pra si një lloj aktiviteti tashmë edhe i institucionalizuar, e me përmasa globale përveç, kënaqësisë që manifestohet përmes ushtrimeve disiplinës tejet rigoroze fizike, është shndërrua edhe në një industri globale biznisore. Që nënkupton një shitjeblerje, masive e kënaqësisë dhe histerisë kolektive, në kohën tonë.

2. Sociologjia e Sportit, që mjerisht s’e kemi në Kosovë, do duhej të merrej me të menduarit kritik dhe reflektimin social që ajo në fakt do duhej ta ushtronte mbi grupet dhe publikun e gjerë në shoqëri. E aq më tepër në shoqëritë që ende po i kalojnë ethet e proceseve transitive, ku ndërrimi i sistemit vlerorë ndodhë çdo ditë dhe në të gjitha poret e jetës, me të gjitha dimensionet e saja pa dallime; racore, etnike, gjinore, klasore, arsimore e politike. Kjo disiplinë, si mision kryesor e ka ushtrimin e “mirëmbajtjes” së raportit shëndetësor midis individit dhe komunitetit, qoftë ai me sportivitet momental apo afatgjatë, sepse, na imponohet si një lloj ilaçi e terapie defrustruese, ndaj përditshmërisë dhe dinamikës (shumë herë) monotone dhe të rutinizuar…

3. Natyrisht, kjo “terapi” vlen më shumë për tipet e shoqërive të industrializuara, ku presioni dinamik ndaj obligimeve ditore është shumë më i theksuar dhe më evident. Në shoqëritë e transicionit, ku bëjmë pjesë edhe ne, kujtoj “terapia” e mësipërme nuk mund të themi se e ushtron të njëjtin presion dhe detyrim. Shkaku, se ne dallohemi ende si me nivelin emancipues, ashtu edhe me nivelin e rangimit të obligimeve ditore, javore e mujore. Por, do shtoja edhe me përkushtimin, mënyrën dhe qasjen që bëjmë sportit të futbollit, edhe për shkak të rrethanave okupuese…, që nënkuptohn. Por, kjo nuk dmth. se privohemi nga kënaqësitë dhe defrustrimi individual e kolektive që i ofron ky “sport gladiatorësh bashkëkohor”! Kjo u pa edhe me rastin e lojës midis Serbisë dhe Zvicrës…, ku ramë pothuajse që të gjithë në atë deliriumin dhe kënaqësinë e fitores së kombëtares zvicerane… Pra, “fitorja” e Zvicres, u shndërrua në fitoren tonë… Kështu që golat e Xhakës dhe Xherdan Shaqirit u shndërruan në një satisfaksion e superterapi sociale, i inferioritetit tonë…kombëtar

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!