Zgjedhjet 2017 e kanë kthyer kosovës në vitin 2014 (Qeveri Haradinaj ose zgjedhje të reja) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Zgjedhjet 2017 e kanë kthyer kosovës në vitin 2014 (Qeveri Haradinaj ose zgjedhje të reja)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

19:50 | 12 Korrik 2017

Bazuar në përvojën e Zgjedhjeve 2014, kur PDK-ja nuk i kishte votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë; kur kryetare e Kosoves ishte Atifete Jahjaga; dhe kur “Opozita e Bashkuar” e atëhershme, LDK-LVV-AAK-NK, pra një opozitë e madhe dhe e fortë, nuk arriti t’i largojë nga pushteti PDK-në dhe Thaçin, mund të thuhet se as tash, në vitin 2017, me gjendjen pothuaj të njëjtë, si në vitin 2014, dhe me Thaçin kryetar i Kosovës, LVV-ja dhe LDK-ja nuk mund t’i çojnë në opozitë PDK-në dhe Veselin. Sidomos pa një ndërhyrje të pritshme të një force të madhe të jashtme.

Rezultatet e zgjedhjeve 2017, me pak ndryshime, pothuaj, të parëndësishme, janë të njëjta me rezultatet e zgjedhjeve 2014. Ka shumë mundësi, prandaj, që edhe ecuria e formimit të qeverisë, në ditët në vijim, të jetë e njëjtë me ecurinë e formimit të qeverisë së atëhershme.

Në të dy palë zgjedhjet, 2014 dhe 2017, asnjëri grupim politik nuk arriti të fitojë mbi 50% të votave. Për këtë arsye, atëherë dhe sot, koalicionet paszgjedhore për formimin e qeverisë ishin dhe janë të domosdoshme.

Në vitin 2014, siç dihet, PDK-ja i kishte fituar zgjedhjet, por nuk i kishte votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë. Megjithëkëtë, lideri i atëhershëm i saj, Thaçi, dhe bashkëpunëtorët e tij ishin këmbëngulës se nuk do të mund të formohej qeveria pa PDK-në.

Ata deklaronin se s’kishin vija të kuqe për askend dhe ishin të hapur për koalicion me partitë e tjera, pa asnjë dallim, dhe pritnin të qetë e me durim “ardhjen” e partnerit të tyre për formimin e qeverisë.

Në anën tjetër, partitë humbëse të Zgjedhjeve 2014, LDK-ja, LVV-ja, AAK-ja dhe NK-ja, ishin bashkuar në koalicionin anti-PDK-së dhe anti-Thaçit.

Thaçin dhe PDK-në, ato i shihnin si të keqen më të madhe për Kosovën e shqiptarët dhe ngulnin këmbë në formimin e qeverisë, pa Thaçin e pa PDK-në.

Ato u kishin rënë me “vijë të kuqe” Thaçit e PDK-së dhe bënin “be e rrufe” se do ta bëjnë “çkapjen” e institucioneve të Kosovës prej tyre.

Kjo gjendje vazhdoi afër gjashtë muaj, deri kur, një ditë, krejt papritur, “shtylla kryesore” e koalicionit anti-PDK, Isa Mustafa, e çoi LDK-në, siç thotë populli, si në gojë të maçorrit, në PDK dhe, bashkë me Thaçin, krijuan koalicionin e “elefantëve”, PDK-LDK.

Isa Mustafa dhe LDK-ja, kështu, jo vetëm që s’e përmbysen qeverisjen e keqe të PDK-së, siç kishin premtuar gjatë fushatës zgjedhore, por ia siguruan PDK-së edhe një mandat qeverisës dhe, për më tepër, me votat e LDK-së, e avancuan “armikun” kryesor të tyre, Thaçin, në postin e kryetarit të Kosovës.

Tash, në vitin 2017, PDK-ja, tani në koalicion me AAK-në dhe me NK-në, i fitoi prapë zgjedhjet, por prapë nuk i ka votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë.

Megjithëkëtë, kandidati për kryeministër i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë thënë se i kanë votat dhe janë këmbëngulës në formimin e qeverisë së tyre.

Ata deklarohen se s’kanë vija të kuqe për askend dhe janë të hapur për bashkëpunim me deputetët e posa zgjedhur dhe për koalicion edhe me partitë e tjera, pa asnjë dallim.

Ata, madje, janë deklaruar se po presin vetëm çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, për formimin e Qeverisë Haradinaj.

Çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve e kanë pritur edhe liderët e partive humbëse, LVV-së dhe LDK-së, në Zgjedhjet 2017, për të krijuar prapë një koalicion anti-PDK-së dhe (tani)anti-Veselit, si në vitin 2014, por tani, pa AAK-në dhe pa NK-në.

PDK-në dhe Veselin, liderët e këtyre partive prapë i shohin si të keqen më të madhe për Kosovën dhe për shqiptarët.

Për ta luftuar këtë të keqe, liderët e LVV-së dhe të LDK-së, si duket, janë pajtuar t’i “harrojnë” armiqësitë e tyre (sipas LVV-së edhe Isa Mustafa ishte, gjithashtu, një e keqe e madhe për Kosovën, sa Thaçi dhe Veseli, ndërsa sipas LDK-së, edhe Albin Kurti ishte një e keqe për Kosovën, sa Thaçi dhe Veseli), dhe kanë vendosur, si në vitin 2014, ta bëjnë “çkapjen” e institucioneve të Kosovës prej PDK-së e Veselit dhe të marrin në duart e tyre qeverisjen e vendit.

Bazuar në veprimet e paparashikueshme të ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës; në kalimin e papritur të tyre nga një grup parlamentar në tjetrin; në ndryshimin radikal, brenda natës, të “bindjeve politike” për interesa të tyre; etj. dhe bazuar, tashmë, në “luftën e të gjithëve kundër të gjithëve”, është tepër vështirë të parashikohet drejtimi që do të marrin zhvillimet e ardhshme për konstituimin e institucioneve që do të mund të delnin nga zgjedhjet 2017 dhe, sidomos, formimi i qeverisë.

Megjithëkëtë, bazuar në përvojën e Zgjedhjeve 2014, kur PDK-ja nuk i kishte votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë; kur kryetare e Kosoves ishte Atifete Jahjaga; dhe kur “Opozita e Bashkuar” LDK-LVV-AAK-NK, pra një opozitë e madhe dhe e fortë, nuk arriti t’i largojë nga pushteti PDK-në dhe Thaçin, mund të thuhet se as tash, në vitin 2017, me gjendjen pothuaj të njëjtë, si në vitin 2014, dhe me Thaçin kryetar i Kosovës, LVV-ja dhe LDK-ja, tash edhe pa AAK-në dhe NK-në, nuk mund ta çojnë PDK-në në opozitë. Sidomos pa ndërhyrjen e pritshme të një force të madhe të jashtme.

Mandatimi i Haradinajt për formimin e qeverisë është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Mandatimin e tij, prandaj, siç dihet, nuk e ka kontestuar asnjë grupim politik.

Nëse i ka votat e mjaftueshme, pra, Haradinaj e formon qeverinë.

Nëse Haradinaj s’i ka votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë, mbetet mundësia e mandatimit të një kandidati tjetër, të grupimit të njëjtë, PDK-AAK-NK ose mundësia tjetër, e mandatimit të një kandidati, të grupimit tjetër, LVV-LDK, gjë që varet ekskluzivisht nga vullneti i kryetarit Thaçi.

Mandatimi për formimin e qeverisë, i një kandidat tjetër të grupimit të njëjtë, PDK-AAK-NK, do të mund të kuptohej si një kurth i përgatitur paraprakisht për Haradinajn. Ai kandidat, prandaj, nuk do të mund t’i siguronte as votat e AAK-së dhe të NK-së, e le më votat e LVV-së dhe të LDK-së.

Një kandidat tjetër, ndërkaq, i grupimit tjetër, LVV-LDK, nuk pritet as të mandatohet nga kryetari Thaçi.

Pra, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve; pastaj në raportet e acaruara partiake, sidomos në raportet e acaruara ndërmjet liderëve partiakë dhe në ambicjet e tyre për pushtet, mbeten dy mundësi me baza më reale, për t’i ikur një ngërçi politik, si ai i vitit 2014: Qeveri Haradinaj ose zgjedhje të reja.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!