Ҫfarë do të bëjë PDK-ja për luftimin e korrupsionit, flet Xhevahire Izmaku

18:44 | 12 September 2019

Izmaku ka treguar se ҫfarë do të bëjë PDK-ja për luftimin e korrupsionit.

Pak ditë para se të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë, partitë politike kanë filluar të zbulojnë programet e partive që u takojnë.
Për të biseduar për këtë ishin të ftuar deputeti nga radhët e PSD-së, Salih Salihu, dhe deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku.

Izmaku, ka përsëritur qëndrimin që partia e saj, në krye me Kadri Veselin, do ta luftojnë korrupsionin. Madje, ajo shtoi se PDK, synon ta formojë një byro për luftimin e korrupsionit.

“Do të krijohet byroja për luftimin e korrupsionit. Do te ketë preventivë, ndërgjegjësim dhe penalizmin.”, deklaroi Izmaku.

Ajo shtoi se kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e partisë që i takon, Kadri Veseli, luftimin e korrupsionit e ka seriozisht. Dëshmi për këtë, sipas saj, është edhe largimi nga lista për deputet, ata që kanë aktakuzë.

“Gjithmonë PDK e ka pasur përnjëmend. Si luftën kundër Serbisë, por edhe gjitha proceset e tjera. Lufta kundër korrupsionit, është prioritet i PDK-së. Korrupsioni është një lloj kanceri në shoqërinë kosovare. Duke parë veprimet e Kadri Veselit, i cili ka larguar personat me aktakuza nga lista, nuk ka qenë e lehte. Kjo tregon që kryetari Veseli, e ka seriozisht luftimin e korrupsionit.”

Por, dyshime për këtë, kishte deputeti i PSD-së, Salih Salihu. Ai, tha se këtë korrupsion në Kosovë, nuk e kanë sjellë të huajt, por është vet PDK-ja ajo që e ka mbjell. Sipas tij, një gjë e tillë nuk ka logjikë.

“PDK po e bën një të mirë që po e pranon që ka korrupsion në Kosovë. Por, këtë korrupsion nuk e kanë sjellë huajt. Këta vet e kanë bërë. Nuk mund të luftohet korrupsioni vetëm duke i larguar njerëzit nga listat, e mos të dënohen ata. Kjo nuk ka logjikë.”-deklaroi Salihu.

Komento: