Një bankë është grabitur në Shtime.
Policia e Kosovës po vazhdon hetimet në lidhje me grabitjen e ndodhur të hënën në mëngjes në degën e “Raiffeisen Bank” në Shtime.
Deri tani nuk ka asnjë informacion rreth identitetit të grabitësve as vendndodhjes së tyre. Policia ka njoftuar se vlera e parave të cilat janë grabitur nuk dihet ende por po punohet intensivisht rreth zbardhjes sa më parë të rastit.
Katër grabitësit e maskuar dhe të armatosur pasi e kanë kryer grabitjen gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet (kombi, ngjyra e kuqe) kanë shtënë me armë zjarri, por fatmirësisht nuk është lënduar askush.
Njësitë policore më të kuptuar se po kryhet grabitja janë vënë në ndjekje të të dyshuarve dhe gjatë ikjes prapë të dyshuarit kanë shtënë me armë në drejtim të Policisë por edhe këtë herë pa lënë viktima.
Automjetit të cilin e kanë shfrytëzuar të dyshuarit për grabitje ia kanë vënë zjarrin në një rrugë malore dhe kanë ikur në drejtim të panjohur. Pavarësisht këtij rasti, sipas të dhënave të policisë grabitjet e armatosura nëpër banka kanë shënuar rënie në krahasim me vitin e kaluar.