Ҫfarë po ndodh me raportet mes Kosovës dhe OKB-së, a po përkeqësohen ato?

12:44 | 16 June 2019

A po përkeqësohen apo jo raportet e Kosovës me OKB-në.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të hënën ka diskutuar edhe për aksionin e muajit maj të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, gjatë raportimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka adresuar kritika të ashpra në drejtim të institucioneve të Kosovës për arrestimin e punonjësve të UNMIK-ut gjatë aksionit anti-kontrabandë nga Policia e Kosovës në veri.

Ai ka përmendur arrestimin e dy punonjësve të tyre, duke theksuar se gjatë arrestimit nuk është respektuar imuniteti i punonjësve të UNMIK-ut.

Tanin ka thënë po ashtu se, Prishtina nuk i ka dhënë shumë dëshmi OKB-së lidhur me arrestimin e dy punonjësve.

Duke përmendur vendimin e Kosovës, ku shtetasi rus, Mikhail Krasnoshchenkov, punonjës i UNMIK-ut u shpall “Non grata”, Tanin tha se doktrina “Non grata”, nuk vlen për punonjësit e OKB-së, shkruan lajmi.net.

E këtyre deklaratave të Tanin, u janë kundërpërgjigjur ashpër zyrtarët kosovarë.

Ishte ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila po në këtë seancë i tha shefit të OKB-së se zyrtarit rus gjatë aksionit në veri i ishte gjetur një motosharrë në makinë, e cila ishte përdorur për të prerë drunjtë, për ta ndaluar aksionin e policisë.

“Policët e Kosovë kanë arrestuar shtatë civilë të cilët kanë penguara ata, në mesin e tyre ka qenë një diplomat i nacionaliteti rus, ai ka përdorur automjetin zyrtar për të ngritur një barrikadë me qëllim të parandalimit te policisë së Kosovës për të realizuar operacionin e tyre. Në veturë ai kishte motosharrë. Motosharra është përdorur për t’i prerë drunjtë për të ndaluar policinë e Kosovës, ai e ka vendosur automjetin e tij para këtyre drunjve për t’i parandaluar ata. Ka refuzuar të bashkëpunoj dhe ka mohuar ofrimin e dokumenteve. Pas refuzimit të tij për bashkëpunim, policia e Kosovës e ka arrestuar këtë individ”, kishte thënë Çitaku në seancën e së hënës të Kësillit të Sigurimit të OKB-së.

Reagime për këto deklarata të Tanin, ka pasur edhe nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, e zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj.

Por se si ndikojnë të gjitha këto çështje në marrëdhëniet mes Kosovës e OKB-së.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me OKB-së nuk mund të prishen, ashtu siç nuk po mund as të ndreqen.

Sipas tij, në rastin e zyrtarit rus të UNMK-ut, PSSP-ja është dashur t’iu kërkojë falje institucioneve të Kosovës dhe të raportonte drejt në Nju Jork lidhur me veprimet e papranueshme të tij.

“Marrëdhëniet e Kosovës me OKB-së s’mund të prishen, ashtu siç nuk po mund as të ndreqen. Kosova nuk ka mundësi të tjera përveç përzënies së zyrtarëve të OKB-së kur ata cenojnë rendin dhe pengojnë institucionet e shtetit. Në rastin e zyrtarit rus të UNMK-ut, PSSP-ja është dashur t’iu kërkojë falje institucioneve të Kosovës dhe të raportonte drejt në Nju Jork lidhur me veprimet e papranueshme të tij”, ka thënë Fetoshi.

Fetoshi po ashtu ka thënë se pavarësisht që Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, për shkak të qëndrimit rus, është shtet i pavarur e sovran dhe nuk guxon të lejojë të cenohet nga askush.

“Pavarësisht që Kosova ende s’është anëtare e OKB-së për shkak të qëndrimit rus, ajo është shtet i pavarur e sovran dhe nuk guxon të lejojë të cenohet nga askush, as në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në fakt, mbajtja e misionit të OKB-së me zyrën dhe përfaqësuesin në Kosovë, tregon për gjendjen absurde dhe devalvimin e skajshëm të organizatës botërore. Anëtarësimi në OKB është objektiv tejet i rëndësishëm, por që nuk varet fare nga OKB-ja”, ka thënë ai.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, ka thënë për lajmi.net se ky mision siç e dinë të gjithë në OKB është formal dhe i panevojshëm, andaj sipas tij, vet OKB-ja duhet të ndalë këtë mision që nuk ka nevojë për të.

“Është e kuptueshme se punëtorët e OKB-së kanë imunitet dhe se ata nuk mund të shpallen “Non grata”. Ky mision siç e dinë të gjithë në OKB është formal dhe i panevojshëm. Sidoqoftë rezoluta 1244 e OKB-së është në fuqi andaj vet OKB-ja duhet të ndalë ketë mision që nuk ka nevojë për të. Prandaj nuk duhet ekzagjerim politik dhe komplikim. Kjo rezolutë është më tepër për të mbajtur KFOR-in në Kosovë e jo për mision administrativë, pra kjo tashmë ka përfunduar”, ka thënë Burjani.

Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të OKB-së e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë.

Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës. UNMIK-u, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.

Komento: