Mimoza Kusari-Lila ka treguar arsyen që po e mban larg koalicionit me Albin Kurtin.
Ani pse sot është afati i fundit për subjektet politike që të dorëzojnë zyrtarisht në KQZ koalicionet parazgjedhore, Mimoza Kusari-Lila si duket nuk ka arritur ende një dakordim për të shkuar në zgjedhje së bashku me Vetëvendosjen.
Kusari tregon edhe arsyen që po e mban larg bashkimit me partinë e Albin Kurtit.
Vetëvendosje u bë mollë sherri në mes të Ilir Dedës e Mimoza Kusari-Lilës që së bashku vite më parë krijuan partinë Alternativa.
Derisa Deda, la partinë e në një nga arsyet e përmendi VV-në, si duket Mimoza Kusari-Lilës me partinë e Albin Kurtit si kanë shkuar aq mirë negociatat për koalicion.
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka zbuluar edhe arsyen se pse nuk do të ketë një koalicion Vetëvendosje-Alternativa.
Ajo ka deklaruar se propozim i Vetëvendosjes, me të cilin ajo nuk është dakorduar ka qenë që partia e saj të shkrihet në listën zgjedhore të partisë së Kurtit, e jo që të ketë koalicion klasik në mes të dy partive.
Ky propozim ka qenë i papranueshëm nga Alternativa e drejtuar prej ish-kryetares së Gjakovës.
“Ka qenë një propozim të cilin nuk kemi mundur me pranu në raport me garimin e përbashkët me Vetëvendosjen, që ne me qenë në listë të Vetëvendosjes por pa logon e Alternativës, për ne ka qenë e papranueshme. Nëse është një marrëveshje koalicioni dhe një bashkëpunim duhet me pasë respekt të dyanshëm dhe jo vetëm shkrirje. Për momentin nuk ka vendim”, ka thënë Mimoza Kusari.
E pyetur nëse ky propozim i Lëvizjes Vetëvendosje do të thotë që nuk do të ketë koalicion parazgjedhor, Kryetarja e Alternativës tha se nëse ndryshon diçka nga ana e Vetëvendosjes mund të ketë koalicion përndryshe me propozimin e dhënë, Alternativa nuk do të hyjë në listë me Vetëvendosjen.
“Në rast se ndryshon diçka prej anës tyre atëherë mund të ketë koalicion. Nuk mund të them qysh tash se ne me çdo kusht dhe me çdo çmim edhe të shkrirjes së partisë të hyjmë në koalicion, përpjekja ka qenë që me e mbajtë Alternativën si subjekt dhe me e pasë një marrëveshje bashkëpunimi ndërsa nuk është ideja që me e shkri Alternativën si parti”, është shprehur Kryetarja e Alternativës.
Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nuk kanë hyrë në detaje rreth asaj se sa do të jetë numri deputetëve të Alternativës në rast të një koalicioni pasi që propozimin e bërë nga VV-ja për shkrirje në listë e kanë refuzuar.
“Nuk kemi shkuar në ato detaje përderisa ka qenë çështja e pjesëmarrjes në listë, sepse nuk është çështja e fatit individual të një personi por është edhe çështja e interesit të subjektit për mua”, ka deklaruar Mimoza Kusari-Lila.
Kryetarja e Alternativës ditë më parë doli në mbështetje të kandidaturës së Vjosa Osmanit për kryeministre nga LDK, por, që sipas saj nëse do të shkohet me koalicionin, një i tillë do të ndodhë në mes të saj dhe Vetëvendosjes që udhëhiqet nga Albin Kurti.