Ҫfarë do të ndodhte me Barcelonën nëse do të largohej Messi!?

18:45 | 06 March 2019

Leo Messi është ‘shtylla’ më e fortë e skuadrës së Barcelonës.

Barcelona nuk mund ta imagjinojë jetën pa yllin e skuadrës, Messin, dhe si rrjedhojë është duke bërë përpjekje ta bëjë atë të nënshkruajë kontratë të re për ta mbajtur në klub sa më gjatë, ka thënë presidenti i klubit katalonas, Josep Maria Bartomeu.

Golashënuesi më i mirë në histori të klubit, Messi i ka ndihmuar Barçës t’i fitojë nëntë tituj në La Liga dhe katër trofe në Ligën e Kampionëve, që prej se shpërtheu para më shumë se 15 viteve.

Ylli argjentinas është futbollisti kryesor i klubit katalonas edhe këtë sezon, sepse i ka regjistruar 33 gola në 34 ndeshje në të gjitha garat deri tani.

Derisa 31-vjeçari ka kontratë me klubin deri në vitin 2021, Barça është e etur të sigurohet se Messi do të mbetet pjesë e klubit edhe më gjatë.

Presidenti Bartomeu thotë se derisa klubi nuk mund ta imagjinojë jetën pa Messin, duhet të përgatitet për një gjë të tillë.

“Tani për tani nuk mund ta imagjinojmë [jetën pa Messin], ama duhet të përgatitemi për këtë”, tha Bartomeu për Marca.

“Do të jetë një Barcelonë tjetër, duhet të gjejmë talentë të rinj”, shtoi ai.

“Leo ka kontratë deri më 2021 dhe synimi ynë është t’ia ripërtërijmë atë. Ai ende ka ambicie për të fituar tituj”, theksoi ai.

Komento: