Ҫfarë ndodhi sot mes Kryeministrit Haradinaj dhe Presidentit Thaҫi?

16:06 | 24 March 2019

Ishte përfolur për një acarim të mundshëm të raporteve mes Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës.

Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj ka kohë që kanë ndërprerë secilin komunikim përveç përmes mediave. Mirëpo, të dielën, dy udhëheqësit e shtetit u bën bashkë më një përvjetor të luftës.

Folën se si duhet ruajtur miqësinë me ndërkombëtarë e me mbështet dikë kur është në rrezik. Në këtë situatë, Rifat Jashari u kërkoi liderëve të jenë bashkë edhe ditëve të tjera e jo vetëm në përvjetorë

Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj kanë tejkaluar për pak kohë përplasjes publike që kanë pasur sidomos me taksën.

Kryeministri madje kishte akuzuar Presidentin se po e rrezikon territorin e Kosovës kur po flet për korrigjim kufijsh.

Ndërsa, Thaçi kishte kërcënuar Haradinajn me rrëzim.

Në gjithë këtë situatë, PDK ka qëndruar në mes të palëve. As nuk është pozicionuar qartë me Kryeministrin dhe as nuk e ka kundërshtuar Presidentin e Kosovës i cili ka shfaqur ambicie të marrë Luginën e Preshevës.

Sidoqoftë, Haradinaj ka zgjedhur vendlindjen t’i shtrëngojë duart me Thaçin.

Por, edhe aty, Thaçi i ka treguar Haradinajt se si duhet të sillet si lider i Shtetit në raport me ndërkombëtarët.

“Prandaj, sot kujtojmë me respekt Epopenë e Dukagjinit dhe vlerësojmë lartë mbështetjen ndërkombëtare që duhet ta ruajmë si sytë e ballit për anëtarësim në NATO dhe raporte speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Thaçi gjatë fjalimit të tij.

Në anën tjetër, Haradinaj i ka treguar Thaçit se miku i mirë vërehet në ditë të vështira.

“Në këtë ditë 99 na u dha e drejta jonë dhe populli jonë që ka meritë kaq të gjatë e ka një thënie “miku i mirë në ditë të vështirë”, NATO na u gjet në ditët më të vështira të jetës sonë ku i madh e i vogël u rrezikuan. Kjo ishte ngjarje që me të vërtetë ka bërë kthesë. Kjo ngjarje është e ardhur prej Zotit. I kam dëgju popullin me veshët e mi duke thënë “paska Zot”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj ka mbetur i vetëm përballë kërkesave të ndërkombëtareve lidhur me heqjen e taksës ndaj produkteve serbe e boshnjake për të vazhduar pastaj dialogu me Serbinë.

Ditë më parë, Haradinaj kishte zgjeruar akuzat në drejtim të zyrtarëve të PDK’së. Ka akuzuar edhe Kadri Veselin se shpejt është dorëzuar përballë kërkesave të Serbisë për heqjen e taksës. E ka akuzuar Vlora Çitakun se nuk është ambasadore e Kosovës në SHBA por e Hashim Thaçit.

Gjithë këtyre akuzave, zyrtarët e PDK’së i janë përgjigjur me heshtje. Askush prej udhëheqësve të Partisë së Kadri Veselit nuk e ka thënë asnjë fjalë përballë deklaratave të Haradinajt. Nuk i ka reaguar madje as Adem Grabovci i cili dikur mbronte PDK’në nga akuzat e Haradinajt.

Komento: