Ҫfarë po e shqetëson kaq shumë Guardiolën?

20:48 | 04 April 2019

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola duket se ka disa shqetësime.

Guardiola kërkon më shumë nga skuadra, kërkon të japin gjithçka në fushë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të rrëmbejnë titullin e Premierligës për të dytin vit me radhë.

Ata kanë prapa Liverpoolin me vetëm një pikë më pak.

Manchester City ka rrëmbyer pikët e plota të mërkurën mbrëma duke e mposhtur Cardiffin, për ta rimarrë vendin e parë në renditjen e Premierligës, raporton Gazeta Express.

Për të fituar titullin, Manchester City i ka para vetes edhe 6 “finale” dhe Pep Guardiola e di se nuk mund të bëhet asnjë gabim.

“Kemi ndjesinë se nuk do të shpallemi kampionë nëse humbasim edhe një pikë të vetme”, ka thënë ai.

“Nuk e di në çfarë gjendje do të jemi kundër Brighton (në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë), por kundër Cardiffit duhet të kishim shënuar më shumë”.

Kur kanë mbetur edhe 6 xhiro deri në fund të edicionit, Liverpooli dhe Manchester City, duke parë orarin e ndeshjeve – duhet të djersiten shumë për të arritur deri te titulli.

Prej 6 ndeshjeve, Liverpooli 3 do t’i luajë si mysafirë dhe 3 të tjera në shtëpi, për dallim nga Manchester City, që 4 do t’i luajë si mysafirë dhe 2 në shtëpi.

Ndeshjet e ardhshme të Cityt në Premierligë do të jenë; kundër Crystal Palace (në udhëtim), Tottenham (në shtëpi), Manchester United (në udhëtim), Burnley (në udhëtim), Leicester (në shtëpi) dhe Brighton (në udhëtim).

City i Guardiolës prin me 80 pikë, i ndjekur nga Liverpooli me 79.

Komento: