Qe ne prillin e viti të kaluar, kanë nisur punimet në autostradën Prishtinë – Gjilan.
Ky projekt është paraparë të zgjasë rreth 2 vite, ndërsa ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj pati thënë se do të përfundojë në kohë rekorde.
Punimet një kohë janë ndërprerë për shkak të kushteve atmosferike, mirëpo pas përmirësimit të motit dinamika e punimeve është rikthyer në nivelin e duhur.
Në një përgjigje për lajmi.net nga kjo ministri thuhet se realizimi i projektit deri më tani ka arritur në 35 për qind.
“Dinamika e punimeve është në nivelin e duhur pas përmirësimit të motit, kemi rifilluar punimet dhe tash kemi mbrri në 35 për qind të realizmit të projektit”, ka thënë Argjend Zejnaj, këshilltar i ministrit Lekaj.
Zejnaj ka theksuar se deri më tash nuk ka pasur zvarritje dhe se vendimet përfundimtare për shpronësim janë pranuar nga qytetarët.
Tutje, ai ka treguar se ky projekt pritet të përfundojë në qershor të vitit 2020.
“Projekti sipas kontratës parashihet të përfundojë në fund të vitit 2020 por sipas kësaj dinamike, shpresojmë se do të jetë gati deri në fund të qershorit 2020”, ka deklaruar Zejnaj.
Kjo autostradë pritet të bëjë lidhjen e Prishtinës me Kosovën Lindore. Theksojmë se ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të shtetit 88.6 milionë euro.