Është bërë një mobilizim i madh nga Policia e Kosovës, e kjo si tendecë për ndaljen e grabitësve.
Jo rrallë herë, kur grabitësit janë zënë në flagrancë nga Policia, ka pasur edhe shkëmbim zjarri.
Duke kujtuar rastin e grabitjes së bankës në Istog, aty mbeti i vrarë polici Izet Demaj në tentim të parandalimit të vjedhjes së armatosur.
E pikërisht nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë vitit që lamë pas janë evidentuar gjithësej 297 raste të grabitjeve, ku hyjnë grabitjet e çantave, telefonave, bankave e lokaleve.
Nga Policia bëjnë të ditur po ashtu se në janar janë evidentuar 25 raste të grabitjeve, e në shkurt gjithësej 21.
“Shpesh zyrtaret tanë i ekspozohen edhe rreziqeve gjatë intervenimeve policore në raste të grabitjeve të ndryshme dhe gjatë ballafaqimit me individ apo grupe kriminale, në funksion të zbatimit të rendit dhe ligjit ka pasur edhe pasoja ku zyrtarët tanë kanë pësuar lëndime trupore apo kanë humbur edhe jetën”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për lajmi.net.
Në lidhje me këtë fenomen në rritje në Kosovë, Policia thonë se kanë ndërmarrë masa më rigoroze ,duke intensifikuar veprimet intelegjente dhe ato operacionale.
Këto masa sipas Policisë përfshijnë shtimin e patrullimeve të policëve, dhe pajisjen e tyre me armë të gjata.
“Janë shtuar patrullimet policore ku zyrtarë policore janë pajisur me armë të gjata, për një reagim sa më efektiv në rast se paraqitet nevoja dhe kushdo që bie ndesh me ligjin duke cenuar rendin apo sigurinë e qytetarëve do të përballet me forcën e ligjit”, thuhet më tutje në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Por sa kanë pasur rezultate këto masa të ndërmarra?
Nga Policia e Kosovës thonë se rezultatet kanë qenë konkrete, dhe se përveq arrestimit të disa personave të dyshuar, janë shpartalluar edhe grupe kriminale që dyshohet se janë shkaktarë të këtyre rasteve.
“Këto veprime policore kanë dhënë rezultate konkrete dhe tani më përveç arrestimit të disa personave te dyshuar janë shpartalluar edhe grupe kriminale qe dyshohet se janë shkaktarë të këtyre rasteve. Po ashtu, hetime të vazhdueshme janë në proces për identifikimin e personave tjerë që mund të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve kriminale”, bëhet e ditur në përgjigjen e Policisë së Kosovës.