Vendimi për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës, nuk po përkrahët.
Menaxheri i financave në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, ka thënë se greva në arsim mund të riaktivizohet nëse bëhet presion për të zëvendësuar 15 ditët e humbura për shkak të grevës në janar.
Pas vendimit të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, që 15 ditët e humbura në fillim të gjysmëvjetorit të dytë të zëvendësohen ditëve të shtune, në ditët e pushimit pranveror dhe në shtyrje të përfundimit të vitit shkollor, SBASHK sot ka paditur ministrinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke kërkuar pezullim të vendimit dhe vlerësimin e tij.
Ymeri ka thënë në KTV se greva që u mbajt për shkak të kërkesave për rritje të koeficientëve në Ligjin për Paga nuk është anuluar, por është pezulluar. Nëse do të ketë presion nga drejtoritë komunale të arsimit për mbajtje të orëve të humbura do të riaktivizohet greva, sipas Ymerit.
“Kemi kërkuar sot nga Gjykata që të bëjë vlerësimin e vendimit dhe vendimi të shtyhet për ekzekutim deri në vendimin final të gjykatës. Ne e kemi kundërshtuar vendimin e ministrit për zëvendësim duke thënë se është vendim i pabazuar në ligj. S’ka ligj e nen që thotë se greva duhet të zëvendësohet. Asnjë ligj e asnjë konventë ndërkombëtare s’thotë që greva duhet zëvendësuar”, ka thënë ai duke shtuar se vendimin e Bytyqit po e përjetojnë si ndëshkim për grevën e mëhershme.
Ai ka thënë se janë marrë vesh më herët me krerët institucionalë që çdo vendim të merret me dialog dhe ka thënë kjo marrëveshje po shkelet menjëherë.
“Po t’i kishte lënë arsimtarët dhe drejtoritë se a kanë nevojë për zëvendësim ndoshta do të gjendej një mirëkuptim. Ishte vendim i befasishëm. Ligji për grevat thotë se punëdhënësi s’ka të drejtë të ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese, qoftë materiale apo të tjera. Kjo është masë ndëshkuese. U kemi bë apel drejtorive arsimore të mos bëhet presion për mbajtje të mësimit të shtunave. Vendimi ka hy më 1 mars në fuqi. U bëjmë apel drejtorive komunale të mos bëjnë presion tek arsimtarët sepse ne nuk kemi ndërpre grevën, por e kemi pezulluar. Nëse kemi presion, mund ta aktivizojmë sërish grevën. S’do të donim të vijmë te ajo situatë. Edhe opinioni edhe mediat e dinë që ka 6-7 muaj që para se të hyjmë në grevë kemi kërkuar të realizohen kërkesat tona. Sikur të realizoheshin para hyrjes në grevë, grevë s’do të kishte. Pse u prit tre javë ditë që të humben orët e të jepet oferta që e kemi pranuar. Po të ishte më herët do të pranonim e s’do të kishte grevë. S’është përgjegjësi e jona greva. Ofertën e pranuam. Gjatë marrëveshjes përfundimtare, kemi menduar se do të kishim koordinim në të gjitha çështjet edhe të zëvendësimit të orëve dhe të tjerave me dialog. Marrëveshja ishte që gjithçka të zhvillohej me dialog. Andaj vendimi ishte i papritur”, ka thënë më tej Ymeri.
Sipas tij, greva është pezulluar dhe jo mbyllur përfundimisht për shkak të pritjes së realizimit të kontratës kolektive.
Ka shtuar se edhe deklarimi i krerëve të vendit se do të ketë patjetër zëvendësim të orëve të humbura mësimore ka qenë arsye shtesë pse s’është anuluar përfundimisht greva.
“Po të kemi presion do të aktivizojmë grevën si arsye për të kërkuar përgjegjësi prej atyre që bëjnë presion”, ka thënë ai.
Ymeri ka shtuar se e gjithë përgjegjësia për riaktivizim të grevës është e ministrisë dhe krerëve institucionalë.
“Varet nga punëdhënësit. Nëse dialogon s’ka greva. Nëse ka filluar qysh tash të mos dialogojë sigurisht do të ketë greva”, ka përfunduar ai.
Ymeri ka thënë se mësimdhënësit mund të tregojnë vetë apo edhe mund të gjejnë mënyra për të zëvendësuar orët e humbura, por pa, siç ka thënë ai, ndëshkuar fëmijët që të humbin pushimin pranveror apo ditët e fundjavave.