Sot në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes nga COVID-19, ndërsa është regjistruar një rast i ri i infektimit.
Edhe pse gjatë javëve të fundit në Kosovë është shënuar rënie e numrit të të vdekurve dhe infektuarve nga koronavirusi, në vendin tonë aktualisht vazhdojnë të jenë 632 raste aktive me COVID-19.
Në anën tjetër, masat kundër koronavirusit po vazhdojnë të mbesin në fuqi.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar sot se deri më tani në Kosovë janë administruar 1 milionë e 500 mijë vaksina kundër COVID-19, por ka theksuar se ende nuk ka mbaruar asgjë.
“Ndërsa përballemi me variantin shumë ngjitës Delta të COVID-19, ndryshimi nuk do të vijë nëse nuk punojmë të gjithë së bashku për t’u vaksinuar. Është mbrojtja më e mirë që kemi. Asgjë nuk ka mbaruar akoma”, thuhet në njoftimin e MSH-së, shkruan lajmi.
Në njoftim është thënë se vaksinat e sigurta dhe efektive kundër COVID-19 janë në dispozicion për qytetarët, andaj janë ftuar që të caktojnë terminet e tyre për vaksinim.
Gjatë javës së kaluar kanë qenë kryetarët e komunave dhe Shoqata e Gastronomisë të cilët kanë kërkuar lirimin e masave nga Qeveria e Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Kujtojmë se dje në Kosovë janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale, të cilat janë përcjellur nga afër për të mbikqyrur respektimin e masave kundër COVID-19.