1 Maj ‘festohet’ me protesta

09:34 | 30 April 2019

Me 1 Maj do të ketë protesta në Kosovë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Punëtorëve (BSPK) ka vendosur të protestojë të mërkurën (nesër) në Prishtinë, duke kërkuar kushte më të mira për punëtorët në vendet e tyre të punës.

Kryesindikalisti i Kosovës, Avni Ajdini, ka thënë se në protestën e së mërkurës do të dalin me disa kërkesa për institucionet kompetente në vend. “Do të jetë protestë simbolike, ku do të dalin federatat me aktivistët sindikalë. Kërkesat tona janë: kushtet sociale, nënshkrimi i marrëveshjes kolektive, paga minimale, siguria në punë dhe shëndeti e skemat pensionale”, ka thënë ai.

Më 1 maj do të protestojnë edhe punëtorët e Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (SR-KEK).

Nënkryetari i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica, ka thënë se njëra nga kërkesat e tyre do të jetë edhe siguria në punë, pasi që sipas tij punëtorët e KEK-ut rrezikohen nga puna që bëjnë. “Punëtorët e KEK-ut janë pjesë e konsiderueshme që nuk e shijojnë pensionin pikërisht për arsye se nga rrezikshmëria në vendet e punës, si gazrat helmuese, pluhuri, djegia e thëngjillit e dridhjet permanente që shkaktojnë pajisjet e punës në KEK, marrin sëmundje të ndryshme e që janë profesionale dhe në Kosovë nuk vlerësohen si të tilla.

Punëtorët e KEK-ut çdo ditë e kanë sfiduese dhe me rrezik për arsye të natyrës së punës që është aty. Në do të kërkojmë edhe më shumë siguri në punë dhe përpikëri me Ligjin e Punës dhe Ligjin për Siguri në Punë. Të krijohen të gjitha kushtet e mundshme që të jetë rreziku më i vogël në punë”, ka thënë ai./zëri

Komento: