Dy vendet e Ballkanit, Shqipëria dhe Kosova, kanë pranuar kërkesën e SHBA për të pranuar një pjesë të atyre afganëve që ikin nga talebanët, nis një artikull në median spanjolle “El Periodico”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thotë në një intervistë për “El Periodico” se Shqipëria do të marrë këtë javë një grup të parë me rreth 1 000 azilkërkues afganë.
“Shqipëria dhe Kosova, dy vende të vogla në Evropën Juglindore, e kanë vendosur veten këtë javë në ballë të mikpritjes së refugjatëve afganë duke njoftuar se kanë pranuar kërkesën e qeverisë amerikane për marrjen e një pjese të refugjatëve që duan t’i shmangen talebanëve. Një nismë e kritikuar nga disa qarqe në të dy vendet, por që kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe presidentja kosovare, Vjosa Osmani, e kanë mbrojtur energjikisht në publik, në një lëvizje që më vonë është imituar edhe nga vendet e tjera të Ballkanit”, vijon artikulli.
“Ne e morëm këtë vendim sepse nuk mund të qëndronim indiferentë përballë rrezikut të madh dhe dëshpërimit të atyre që po përpiqeshin të iknin nga Afganistani”, thotë kryeministri Edi Rama, në një intervistë telefonike me median spanjolle.
“Është një mesazh solidariteti që ne duhet t’u përcjellim fëmijëve tanë”, shton ai duke theksuar se “duke përjashtuar rrethanat e paparashikuara për shkak të situatës kaotike në aeroportin e Kabulit, azilkërkuesit afganë do të fillojnë të mbërrijnë në Shqipëri këtë javë nëpërmjet fluturimeve të operuara nga qeveria amerikane që gjithashtu do të paguajë koston e operacionit”.
“Grupi i parë që do të mbërrijë, do të jetë rreth 1 000”, thotë Rama.
“Ata janë kryesisht aktiviste, gra, gazetare, mësuese dhe njerëz që kanë punuar për ushtrinë amerikane. Njerëzit që besuan te ne, punuan me ne dhe u frymëzuan nga vlerat dhe parimet tona”, thotë Rama, para se të shpjegojë se “vendi i tij, edhe para kërkesës së Uashingtonit, kishte filluar të punonte me dy shoqata humanitare amerikane, emri i të cilave është jopublik për arsye sigurie”.
“Ideja, si në rastin e Kosovës, është që të shpërngulurit e pranuar në Shqipëri të qëndrojnë për disa muaj ose ndoshta më shumë, koha e nevojshme për të trajtuar kërkesën e tyre për azil në SHBA. Për këtë arsye, ata do të vendosen në shtëpi ose hotele të caktuara nga qeveria dhe jo në kampe për emigrantë, një formë pritjeje çnjerëzore”, thotë Rama.
Lideri shqiptar gjithashtu thekson se ai nuk ka kërkuar asgjë në këmbim nga SHBA për bashkëpunimin, pavarësisht faktit se shumë thanë se ishte koha për ta bërë këtë.