1 milion € në automjet, dy mbrojtësit e të dyshuarve thonë se s’kanë pranuar ende urdhëresë nga Gjykata për të shkuar në paraburgim

13:50 | 28 Mars 2026
1-milion-e-ne-automjet,-dy-mbrojtesit-e-te-dyshuarve-thone-se-s’kane-pranuar-ende-urdherese-nga-gjykata-per-te-shkuar-ne-paraburgim

Mbrojtësi i të dyshuarit Edmir Ahmetgjokaj, avokati Fitim Bunjaku, si dhe mbrojtësja e Ardit Laskut, avokatja Adelina Imeri-Hasani, tha  se pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka caktuar paraburgimin ndaj klientëve të tyre, të dyshuarit ende s’kanë pranuar urdhëresë apo ftesë nga Gjykata Themelore.

Ahmetgjokaj, Lasku dhe Aurel Kaziu dyshohen se kishin fshehur rreth 1 milion euro në automjet, para të gjetura në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, çka lidhet me dyshimet për shpëlarje parash.

Fillimisht, avokati Bunjaku tha se me të marrë vendimin e Apelit ka njoftuar klientin e tij, Ahmetgjokajn, por se ende nuk kanë pranuar asnjë ftesë apo urdhëresë nga Gjykata Themelore pas këtij vendimi për paraburgim.

“Jo, ai nuk ka asnjë urdhëresë, asnjë ftesë për paraqitje. Të paktën unë jam në kontakt me të deri në këtë fazë…”, tha avokati Bunjaku.

Bunjaku njoftoi se ndaj vendimit të Apelit kanë paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, duke shtuar se klienti i tij, në momentin e marrjes së ndonjë ftese apo urdhërese, do të paraqitet.

Gjithashtu, edhe avokatja Imeri-Hasani tha   se e ka njoftuar klientin e saj për vendimin e Apelit, por se nuk ka pranuar ndonjë ftesë apo urdhëresë për paraqitje me qëllim të dërgimit të tij në paraburgim.

“…jo, nuk ka pranuar kurrgjë”, tha avokatja Imeri-Hasani.

Po ashtu, për Laskun, Imeri-Hasani tha se me marrjen e urdhëresës do të bashkëpunojë me institucionet.

“Po, klienti im është i gatshëm me bashkëpunu”, shtoi Imeri-Hasani.

Për të dyshuarin tjetër, Kaziu, avokati i tij Betim, përmes SMS-së, ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit dhe e ka njoftuar klientin për përmbajtjen e tij, ndërsa deri në bisedën e fundit nuk ka pranuar urdhëresë për t’u paraqitur për paraburgim. Ai shtoi se, me të ardhur ndonjë ftesë, do të bashkëpunojnë me institucionet dhe se aktualisht klienti ndodhet në Shqipëri.

“Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kuptuar nëse janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Themelorja kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktim të masës së paraburgimit duke thënë se ndër të tjera se nuk është përmendur ndonjë provë sado sipërfaqësore në të cilën prokuroria e mbështet pretendimin e saj se ekziston dyshimi i bazuuar.

Më pas Apeli kishte kthyer rastin në rivendosje duke thënë ndërë të tjera e Themelorja nuk kishte bërë vlerësim të plotë të materialeve në shkresat e lëndës dhe nuk kishte dhënë arsye të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se nuk ekzistonte dyshim i bazuar se të pandehurit kishin kryer veprën penale “Shpërlarja e parave”.

Por që Themelorja edhe në rivendojse kishte vendos njejt duke theksuar ndër të tjera sërish se prokurori i shtetit nuk përmend askund, nuk përshkruan e as nuk thirret në asnjë provë për të mbështetur dyshimin e bazuar se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.

“Pra, fakti se kontrolli është kryer në prani të të pandehurve dhe se gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare, është vetëm pretendim i prokurorisë i paraqitur në kërkesë për caktimin e paraburgimit dhe në kallëzim penal të doganës, mirëpo në momentin e vendosjes nga ana e
gjyqtarit të procedurës paraprake në lidhje me kërkesën për caktimin e paraburgimit, nuk ka pasur asnjë provë që e vërteton këtë pretendim”, thuhej në vendim.

Por që Apeli për të dytë herë kishte rrëzuar vendimin e Apelit e kishte caktuar masën e paraburgimit për tre personat që dyshohet se kishin fshehur rreth 1 milion € në automjet./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Komento: