1 muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e “Radullës” në Breg të Diellit

18:10 | 29 Maj 2026

Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit A.P., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit zyrtar të kësaj gjykate, vendimi është marrë pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj A.P ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate pasi që, ekziston rrezik real që nëse i pandehuri lihet në liri, mund të arratiset me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe të pengoj në rrjedhën normale të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Gjykata ka konsideruar se ekziston mundësia që i dyshuari të ndikojë në rrjedhën e hetimeve duke asgjësuar, fshehur, ndryshuar ose falsifikuar prova, si dhe duke ndikuar tek dëshmitarët.

Në njoftim thuhet se kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Komento: