10 përqindëshi nga Trusti kur mund të tërhiqet?

08:43 | 17 September 2020

Kur do të mund ta tërhiqni 10 përqindëshin nga Trusti.

Muajin e kaluar në mungesë kuorumi nuk kishte kaluar Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19, të enjten Kuvendi i Kosovës do ta hedh sërish në votim në parim këtë projektligj.

Ky Projektligj parasheh ndryshimet ligjore që mundësojnë tërheqjen e 10-përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensinonale (Trusti)

Është kjo njëra nga pikat e papërfunduara, për të cilat deputetët do të votojnë të enjten.

Tërheqja e 10-përqindëshit nuk kishte marrë votat në lexim të parë, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë këtë Projektligj ndonëse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.

Bajrami kishte thënë se përmes këtij Projektligji plotësohen dhe ndryshohen disa ligje të tjera.

“Autorizohet Fondi Pensional i Kosovës dhe fondet tjera që brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij Ligji t’ju mundësohet qytetarëve që t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale. Kjo tërheqje do të lirohet nga obligimet tatimore”, kishte thënë Bajrami.

Në anën tjetër, ky Projektligj parasheh zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.

Përdorimi i një përqindjeje të mjeteve financiare të kursyera në Trust, rishikimi i buxhetit, lehtësimi i qasjes në financim dhe mbështetja për punësim janë disa nga nëntë masat e parapara të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike që janë prezantuar në Programin Qeverisës 2020-2023 të Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij programi, pritet të mobilizohen mbi 1 miliard euro për dy vite, duke themeluar Fondin për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19.

Masa e pestë e kësaj pako parasheh stimulimin e kërkesës agregate që ka për qëllim rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, e cila nxit prodhimin dhe punësimin me efekte multiplikuese në ekonomi.

Në kuadër pakos për financimin e masave, pritet që të përdoren 170 milionë euro kthime të kursimeve pensionale për kontributpaguesit nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Komento: