100 eurot shtesë për muajin prill, kur dhe si do të mund t’i merrni?

09:08 | 13 April 2022

Një një konferencë të përbashkët për media, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë prezantuar masat e reja në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

U premtuan nga 100 euro shtesë për punëtorët e sektorit privat, atij publik, pensionistët dhe studentët, për muajin prill. Për të papunët s’u nda asnjë cent. Por, si mund t’i merrni këto shtesa? A mundet një person të përfitojë dy herë? Çka tha opozita për këtë vendim?

Qeveria e Kosovës, në krye me Albin Kurtin, ka vendosur që të ndajë nga 100 euro për studentët, pensionistët, të punësuarit në sektorit privat dhe ata në sektorin publik. Këto para janë vetëm për muajin prill.

Janë dyfyshuar edhe asistencat sociale për të njëjtin muaj.

Vlera totale e kësaj pakoje është mbi 100 milionë euro dhe, sipas Kurtit, nga e njëjta do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë.

“Për muajin prill do ta dyfishojmë vlerën e asistencës. Pensionistëve do t’u ndahen nga 100 euro shtesë për muajin prill, dhe do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension. Për herë të parë, do të mvbështesim me 100 euro të gjithë punëtorët e sektorët privat. Në kuadër të kësaj pako do të ndahen edhe nga 100 euro për mbi 80 mijë zyrtarë publikë Për herë të parë, do të mbështeten të gjithë studentët nga 100 euro. 80 mijë student do të përfitojnë nga kjo…Vlera totale e kësaj është mbi 100 milionë euro, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje”, deklaroi Kurti.

Por, në këtë pako, nuk përfshihen individët të cilët janë të papunë.

Që i bie, një përqindje e lartë e grave që nuk punojnë, janë të përjashtuara nga ndihmat e shtetit, nga të cilat, siç tha Kurti, përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për tremujorin e parë të vitit 2021, shkalla e punësimit të gratë është 15.9 për qind. Pak a shumë punësimi i grave sillet te kjo përqindje, edhe në periudhat e tjera.

Janë rreth 616 mijë gra në moshë pune në Kosovë. Prej tyre, rreth 140 mijë llogaritën si aktive në tregun e punës, apo fuqi punëtore. Sipas statistikave, janë të punësuara diku 98 mijë gra.

Ndërsa, përqindja e punësimit të burrave, të cilët janë në moshë për punë, në fillim të 2021-s, ka qenë 42.8 për qind.

Kur do të mund t’i merrni këto shtesa?

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka treguar se punëtorët e sektorit privat dhe studentët do të duhet të presin më shumë se sa pensionerët dhe punëtorët e sektorit publik për të marrë 100 eurot shtesë prej qeverisë.

Pensionerëve do t’iu dalin shtesat bashkë me pensionin e muajit prill, derisa punëtorëve të sektorit publik me pagën e prillit.

“Sa i përket pensionistëve, shtesat do të merret në datat që u dalin pensionet. Por besoj se është këtë të premte. Nëse arrihet të bëhen të gjitha kalkulimet, por më së largu të hënën tjetër. Sektori publik do të dalin në fund të muajit pasi i kemi të dhënat. Pra edhe pagat e sektorit publik do të jenë me këtë shtesë”, ka shpjeguar Murati.

Murati tha se qeveria nuk i ka llogaritë bankare të punëtorëve në sektorin privat dhe të studentëve në mënyrë që të ekzekutojë menjëherë pagesat, andaj do të duhet të aplikojnë. Aplikimi do të bëhet përmes ATK-së për punëtorët privat, ndërsa për studentët ende nuk është vendosur nëse do të aplikojnë po aty në ATK, apo përmes portalit E-Kosova.

“Për punëtorët e sektorit privat dhe studentët, pra fillimisht duhet t’i kemi gjirollogaritë bankare. Si të i shpërndajmë? Nuk është se i kemi të dhënat e llogaritë e studentëve e punëtorëve të sektorit privat. Do të duhet të mbushin një formular për aplikim”, tha ai.

“Sa i përket të punësuarve në sektorin privat do të shkojmë përmes ATK-së. Ka ndodh edhe në të kaluarën. Sa i përket studentëve duhet të shohim a mund të shkojmë përmes portalit E-Kosova apo ATK-së. Besoj se do të jetë përmes portalit E-Kosova pasi aty janë të dhënat”, përfundoi ai.

Murati shtoi se ata që kanë rrogën mbi 1000 euro nuk do të përfitojnë nga kjo masë e qeverisë.

“Do të përfitojnë vetëm ata që e kanë rrogën nën 1000 euro”, deklaroi ministri Murati.

A mundet një person të përfitojë dy herë?

Secili person do të mund të përfitojë vetëm një herë nga mbështetja e qeverisë prej 100 milionë eurove për punëtorët, studentët e pensionerat.

Ministri Hekuran Murati tha se një punëtor, nëse është edhe student, nuk mund të aplikojë dy herë për të marrë nga 100 euro

“Normalisht se do të ketë kritere dhe kufizime sa i përket kualifikimeve dhe përfitimeve nga këto. Si ministër i financave më delegohet nga qeveria që unë të jem ai që i përcakton kriteret. Vitin e kaluar kur e kemi bërë këtë për pensionistë, përfituesit ishin të gjithë nga një herë. Nuk mund pra një person të përfitojë dy herë nga skema të ndryshe. Do të përfitojnë vetëm ata që e kanë rrogën nën 1000 euro”, tha ai në ATV.

“E tash, kufizimi do të jetë që nga të gjitha këto masa do të përfitohet vetëm një herë. Me atë që shkon i pari përfiton. E kemi listën. Do të shkojmë me numra të verifikimit. Nëse del që një person ka përfituar nga sektori publik ose privat, pastaj tenton të përfitojë si student, atëherë do të refuzohet”, shtoi ai.

Po ashtu, ai tha se të gjithë studentët do të përfitojnë pavarësisht a studiojnë në universitete private apo publike.

“Të gjithë studentët e të gjitha universiteteve. Edhe sektorit publik, por edhe privat”, përfundoi ai.

Opozita kritikon Kurtin për 100 eurot

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar ‘populizëm që varfëron’ vendimin e Qeverisë Kurti për ndarjen nga 100 euro për një kategori qytetarësh.

Sipas tij, shtesat prej 100 euro janë lëmoshë.

“Këtë herë nga 100 euro lëmoshë secilit – pa ndonjë kriter, pa ndonjë kategorizim. Kanë ose s’kanë përfituesit, nuk ka fare rëndësi, të gjithë do të marrin njëjtë. Përveç se e padrejtë, kjo politikë sociale është edhe pa efekt. Në njërën anë 100 euro për vetëm një muaj, s’zbusin asgjë; në anën tjetër 100 milionë euro gjithsejtë janë para të humbura me një vendim. Nuk besoj se ka pasur, ka e do të ketë diku tjetër në botë ndonjë politikë kaq të madhe me kaq pak ndikim. Popullzimi këtë ka. Blen paqe sociale duke ushqyer varfërinë”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku tha për shefin e Qeverisë se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim dhe se këtë e dëshmoi sot përfundimisht, duke shtuar se ai Kurti beson se me intervenim njëmujor, mund ta bëjë të harrohet kriza e përballueshmërisë.

“Me 100 euro s’blihet shtrenjtimi i rrymës për 100%. Me 100 euro s’blihen vizat e punës për 120 mijë kosovarë. Me 100 euros s’blihet inflacioni dyshifror që vazhdon edhe përtej këtij muaji të shënojë rritje rekord. Me 100 euro s’blihen pagat e ulëta në sektorin privat e publik pa dallim. Me 100 euro nuk blihet papunësia, nepotizmi, mungesa e investimeve e regresi shoqëror. Politika zhvillimore është art. Këtë art, eksperti – tani i komunikacionit rrugor dhe gjurmëve në asfalt – s’ka se si ta kuptojë”, thuhet në postimin e tij.

Edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për vendimin e Kurtit për 100 eurot shtesë.

Ai e ka quajtur si shumë të vogël shtesën prej 100 euro, derisa ia ka drejtuar disa kërkesa Kurtit.

Ai ka dal me një propozim të ri për pagën minimale. Sipas tij, paga minimale neto duhet të jetë 370 euro.

Haradinaj ka thënë edhe se Qeveria duhet urgjentisht ta kalojë Ligjin e Pagave, të rris pagën minimale menjëherë, ta zbresë në zero TVSH’në për të gjithë artikujt ushqimor, t’a heq taksën në pagat nën 300 euro, si dhe të mundësojë që qysh sot të kalojë ligji për tërheqjen e së paku 15 përqind të kursimeve nga Trusti.

“Ne propozojmë që paga minimale neto të jetë 370 euro. Pagat nuk kanë lëvizur nga vendi me vite e çmimet janë rritur në mënyrë enorme. Qeveria duhet që urgjentisht ta kalojë Ligjin e Pagave. Duhet që menjëherë ta rris pagën minimale, e cila sot nuk është as pagë. Si masë e dytë duhet ta zbresë në zero TVSH-në për të gjithë artikujt ushqimorë. T’a heq taksën në pagat nën 300 euro. Duhet që qysh sot të kalojë ligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit, të paktën 15 për qind të shumës”, ka deklaruar Haradinaj.

“Menjëherë dhe pa vonesë duhet tua kthej ndryshimin që kanë paguar qytetarët me rritjen e cmimit të energjisë elektrike, të cilën e kanë faturuar qysh ne mars. (kjo sipas vendimit të Gjykatës Themelore) Qeveria duhet të veproj si shtet e jo si shoqatë humanitare. Qyetarët kanë nevoje edhe për një euro, por nuk zgjidhet asnjë problem me masa që zgjasin veç një muaj. Është shumë e vogël shuma prej 100 eurosh që Albin Kurti të fshihet pas paaftësisë së tij për të rishikuar buxhetin që do të mundësonte zgjidhje afatmesme të krizës financiare të qytetarëve”, ka thënë Haradinaj.

Komento: