Qytetarët kanë ndëruar sot familjen Jashari.
As në përvjetorin e 11-të të pavarësisë së Kosovës, nuk u anashkalua tradita e homazheve dhe nderimeve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Qytetarë të shumtë, nga vende të ndryshme të Kosovës, qysh në orët e hershme të mëngjesit, ia mësynë këtij kompleksi memorial, në kujtim të veprës së familjes së Jasharajve, raporton KTV.
Përveç flamujve të shumtë kombëtar, në festën e pavarësisë në Prekaz, nuk u pa asnjë flamur i Kosovës.
Vizitorët thanë se amaneti i të rënëve për lirinë, të cilën po e festojnë, nuk ka shkuar në vend.
Ata që erdhën në Prekaz, përveç homazheve, nuk e kanë lënë pa e vizituar edhe shtëpinë-muze, aty ku u zhvillua e gjithë beteja e kësaj familjeje.
Vizitorët kanë thënë se presin nga institucionet e vendit të punojnë për të mirën e qytetarëve.
Në nderim të familjes Jasharaj, erdhën edhe një grup studentësh, të cilët thanë se rinia e Kosovës duhet t’i përkujtojë të gjithë ata që punuan për çlirimin e vendit.
Për ta nderuar veprën e familjes Jasharaj, homazhe kanë bërë edhe krerët e institucioneve.
Nderime dhe homazhe kanë bërë edhe përfaqësues të partive politike, të cilët erdhën në mënyrë të organizuar.