110 milionë euro rrymë e vjedhur, shteti mobilizohet tash, do t’i monitorojë aksionet e KEDS-it

17:04 | 16 Gusht 2022

Ministria e Ekonomisë ka ngritur shqetësimin për vjedhjet e energjisë elektrike. Sipas ME, këtë vit vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro.

Përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, humbjet komerciale të KEDS-it, pra vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021, ME thotë se “do të kushtonin deri në 110 milionë euro nëse do të bliheshin të gjitha me çmimet e importit”. Thënë ndryshe, “dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike”.

“Ndërsa për vitin 2022 vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro, nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare, apo 26 ditë pune të dy blloqeve të Termocentralit “Kosova B””, njofton Ministria e Ekonomisë.

ME tha se po komunikon vazhdimisht me institucionet përgjegjëse të furnizimit për këtë çështje.

“Ne jemi duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligjzbatuese dhe kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike, KEDS, e cila e ka për detyrë sipas kontratës së privatizimit që t’i ndalë ato”, thuhet në komunikatë.

Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por Mr thotë se “tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen”.

“Ditëve në vijim institucionet tona do të qëndrojnë në monitorim të aksioneve të KEDS-it për të ndalur vjedhjet e energjisë. Ndërkohë po koordinohen masat shtesë për këtë dukuri”, thuhet në komunikatë.

Ministria iu është drejtuar qytetarëve në fund, duke iu kërkuar atyre ta kursejnë energjinë elektrike dhe të raportojnë rastet e vjedhjeve.

:Raportimi i tyre masiv do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike në këtë kohë të vështirë të krizës energjetike, e gjithashtu edhe në parandalimin e fatkeqësive”, thuhet në njoftim.

Komento: