Autoriteti Rregullativ i Ujit më 21 janar 2025 ka vendosur një gjobë prej 12 mijë eurove ndaj Kompanisë rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, pasi kanë gjetur se e njëjta kompani ka bërë shkelje ligjore gjatë faturimit të ujit, shkruan Gazeta Express.
Pas një inspektimi të realizuar dhe një raporti të përgatitur në tetorin e vitit të kaluar, ARRU kanë gjetur se KRU “Prishtina” vazhdon të faturojë në mënyrë të kundërligjshme 472 konsumatorë shtëpiakë.
Këtyre konsumatorëve, siç thuhet në vendimin e ARRU për gjobë, fare nuk u janë lexuar orët e ujit dhe të njëjtët janë faturuar me tarifa fikse. Kjo mënyrë e faturimit sipas ARRU-së është në kundërshtim me bazën ligjore dhe gjithashtu potencohet se ka shkaktuar edhe humbje për KRU “Prishtina”, meqë s’është faturuar uji që është hargjuar nga konsumatorët.
KRU “Prishtinës” i mundësohet të paguaj vetëm 50 % të kësaj gjobe, nëse detyrimi kryhet brenda 15 dite nga marrja e vendimit dhe gjithashtu kjo kompani detyrohet që të marrë masat e nevojshme për të evituar shkeljet e evidentuara.