12 shtëpi të dëmtuara në Klos, pas tërmetit në Shqipëri

09:38 | 16 January 2023

Tërmetet në Shqipëri, 12 shtëpi të dëmtuara në Klos.

Tërmeti me magnitudë 4.7 të shkallës rihter e ka goditur Shqipërinë në orën 22:37 gjatë mbrëmjes të së dielës, ndërsa u pasua nga tetë goditje të tjera gjatë natës dhe mëngjesit.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, raportohet se epiqendra e tërmetit ishte tri kilometra në jug të Klosit, prapa Malit të Dajtit, ndërsa lëkundjet janë ndjerë më së shumti në Dibër, Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

12 shtëpi raportohen të dëmtuara në Klos, aty ku ishte edhe epiqendra, ndërsa ekipet janë në terren.

Në Durrës raportohet se disa lagje kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë në qytetet e tjera të vendit është raportuar se lëkundjet e tërmetit ishin të forta dhe kanë ngjallur panik tek qytetarët.

Një pjesë e qytetarëve të kryeqyetit e kanë kaluar natën jashtë, për shkak të panikut. Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të plotë shërbimet e emergjencës dhe u bën thirrje qytetarëve që për çdo problematikë të sinjalizohet në numrin 112 ose zjarrfikësit në numrin 128. /Top Channel

Komento: