13 vite nga ngritja e aktakuzës, deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasje të rëndë në tentativë

21:19 | 25 Gusht 2023
13-vite-nga-ngritja-e-aktakuzes,-deklarohet-i-pafajshem-i-akuzuari-per-vrasje-te-rende-ne-tentative

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, në shqyrtimin fillestar, i akuzuari Hajriz Ngucati është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e rëndë në tentativë të vitit 2010.

Ngucati, sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut, të ngritur më 28 tetor 2010 pranë Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, akuzohet se më 21 qershor 2010, të dëmtuarin F.K e kishte goditur me thikë në gjoks, me ç’rast të njëjtit i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Raima Elezi njoftoi palët për të drejtën e kërkesës për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Pas kësaj, gjykatësja Elezi seancën e radhës e ka caktuar të mbahet më 10 nëntor 2023.

Ndryshe, në seancë nuk ka prezantuar i dëmtuari F.K, i cili është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mos ardhjen nuk e ka arsyetuar.

Ndryshe, kjo çështje penale, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të 19 nëntorit 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren. Përveç rastit të akuzuarit Ngucati, kjo gjykatë ka pranuar edhe 8 raste të tjera të natyrës penale në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Në këtë rast, sipas Prokurorisë, i akuzuar kishte qenë edhe S.N, tanimë i ndjerë, fakt ky i vërtetuar nga shkresat e lëndës, ku ishte konstatuar se i njëjti kishte ndërruar jetë më 6 dhjetor 2014, si dhe B.K, i akuzuar për veprën penale pjesëmarrja në rrahje ndaj të cilit Prokurori i shtetit kishte hequr dorë nga ndjekja penale për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Sipas shkresave të lëndës, shqyrtimi fillestar i caktuar të mbahet më 31 janar 2018, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë kishte dështuar të mbahet për shkak mungesës së prokurorit Njazi Rexha.

Për herë të dytë, shqyrtimi fillestar për këtë çështje ishte caktuar të mbahej më 13 nëntor 2019, nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, ku i akuzuari Ngucati ishte deklaruar i pafajshëm, derisa procesverbali i këtij shqyrtimi fillestar, nuk ishte nënshkruar nga asnjë palë në procedurë edhe pse konstatohet se kanë qenë prezentë Prokurori i shtetit Nijazi Rexha, të pandehurit Hajriz Ngucati dhe B.K.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Publike të Qarkut, e ngritur më 28 tetorit 2010, thuhet se më 21 qershor 2010, të akuzuarit S.N dhe i akuzuari Hajriz Ngucati, në rrugën Skenderaj-Drenas ne fshatin Polac, Komuna e Skenderajt në afërsi të stacionit të autobusëve me dashje kanë filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit F.K, e të cilën nuk e kane përfunduar, në atë mënyrë pasi një orë më parë janë rrahur mes veti fëmijët e lagjes Ngucati dhe Koca, të pandehurit ne shenje hakmarrje pajisen me thika dhe dalin e ia zënë rrugën të dëmtuarit i cili ishte duke shkuar për në treg të bagëtive.

Tutje, sipas aktit akuzues, të pandehurit Ngucati dhe Koca e sulmojnë me grushte dhe shqelma e pastaj i pandehuri S.N nxjerr thikën nga brezi dhe e godet katër herë në pjesën e shpinës, ndërsa i pandehuri Hajriz Ngucati me thikë flutur, me gjatësi të tehut 5.5 cm, e godet një herë në gjoks me ç’rast i shkaktojnë një plagë prerëse shpuese në regjionin gjoksit, në shpatullën e majtë dhe të djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Për këto veprime, Hajriz Ngucati po akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 147, pika 9 lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit të Përkohshëm të Kosovës.

Ndërsa, S.N akuzohej për veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë, ndërsa B.K., akuzohej për veprën penale pjesëmarrja në rrahje nga Kodi i Përkohshëm i Kosovës.

Komento: