13 vjetori i Marrëveshjes së Brukselit, Vuçiq: Shqiptarët s’deshën paqe – duan vetëm që ta njohim Kosovën

15:20 | 18 Prill 2026
13-vjetori-i-marreveshjes-se-brukselit,-vuciq:-shqiptaret-s’deshen-paqe-–-duan-vetem-qe-ta-njohim-kosoven

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, deklaroi sot, me rastin e 13-vjetorit të Marrëveshjes së Brukselit, se kjo periudhë është shënuar me “gënjeshtra” dhe vlerësoi se Kosova nuk do ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që parashihet me atë marrëveshje.

Në një intervistë për “Kosovo Online”, siç ka raportuar ky portal, Vuçiq tha se edhe në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, sikurse edhe sot, ishte i përqendruar kah e ardhmja, dëshironte marrëdhënie të mira me shqiptarët dhe besonte se qëllimi i tyre i vetëm “nuk ishte vetëm t’i dëbojnë serbët, por se dëshironin paqe dhe stabilitet”.

Ai shtoi se ishte mashtruar, duke thënë se këtë “nuk e dëshironin as ata, e aq më pak ata që e detyronin Beogradin për gjithçka”.

Vuçiq tha gjithashtu se e ka “turp” që gjashtë nga dhjetë pikat e Marrëveshjes së Brukselit, që kanë të bëjnë me themelimin e AKS-së, nuk janë përmbushur, duke shtuar se mendon se turpi nuk është i tij, “por i atyre që e garantuan këtë – Bashkimit Evropian”, duke konstatuar se kanë kaluar 13 vjet gënjeshtrash.

“Mbajtëm, nuk do ta besoni, 245 takime në procesin e dialogut, 38 në nivelin më të lartë, Zoti e di sa ditë e net gjithsej, Zoti e di sa takime shumëpalëshe në margjinat e Bashkësisë Politike Evropiane dhe shumë organizatave e institucioneve të tjera. Dhe gjithmonë ka ekzistuar vetëm një dëshirë – si, dhe në çfarë mënyre t’i detyrojnë serbët ta pranojnë pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.

Presidenti serb vlerësoi se të gjitha këto janë “lojëra dhe lojëra të vogla”, ndërsa qëllimi është vetëm një – që Serbia “de jure”, e në fund edhe “de fakto”, ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Shtoi se është i bindur se Kosova nuk do ta themelojë AKS-në, duke pretenduar se tani pret që disa “gjysmëmiq” ta thërrasin në takime të përbashkëta me propozimin që të mos jetë AKS, por diçka e ngjashme, dhe përsëri brenda sistemit të Kosovës.

“Kjo është ideja e tyre e radhës. Thelbi është se ata e kanë shterur pusin dhe rezervuarin e gënjeshtrave të tyre dhe kjo nuk kalon më askund. E vetmja mënyrë si mund të bisedojnë tani është – ‘duhet ta bëni këtë, përndryshe sanksionet do të jenë të tilla’”, tha Vuçiq.

Ai porositi se pavarësisht presioneve, Serbia nuk do ta pranojë dhe njohë pavarësinë e Kosovës dhe se “nuk ka qeveri që mund ta bëjë këtë në të ardhmen”.

“Ai 19 prill i vitit 2013 nuk ishte ditë e lehtë për ne. Ishte ditë e mbushur me kompromise në kushte pothuajse të pamundura. Lehtë është të bëhesh gjeneral pas betejës, por arritëm diçka që garantonte të drejtat elementare të popullit tonë në Kosovë e Metohi, mbijetesën në Kosovë e Metohi, e nuk e pranonte pavarësinë apo shtetësinë e Kosovës”, tha ai.

Vuçiqi shtoi se personalisht nuk e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, por se e dinte që ajo ishte “e keqja më e vogël që në atë moment mund ta merrnim”.

Më 19 prill, 2013, u arrit marrëveshja e parë e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel. Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër i Kosovës dhe Ivica Daçiq firmosën ujdinë 15 pikëshe, që synonte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Komento: