Kosovarët kanë paguar shtrenjtë çmimin e derivateve të naftës.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës(AKK) ka mbajtur një konferencë për medie lidhur me hetimin për çmimin e derivateve të naftës.
Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, ka thënë se kanë hulumtuar 16 ndërmarrje në Kosovë.
Sipas tij fitimi i ndërmarrjeve ka shkuar deri 124%.
“16 ndërmarrje që operojnë në treg dhe ky hetim ka marrë kohë deri tani dhe ende nuk është përfundimtar por kemi konstatuar se ndërmarrjet që kanë operuar në treg në periudhën janar tetor kanë pas një përfitim 9% ndërsa në muajt nëntor ka shkuar në 60% e në dhjetor fitimi ka shkuar në 124% vetëm për produktin naftë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar gjithashtu se i përgjigjen vetëm Kuvendit.
“Ne i përgjigjemi vetëm Kuvendit të Republikës së Kosovë të gjitha format. Hulumtimi i 10 muajve për çmimin e derivateve të naftës, duke u bazuar se kemi pas një reagim të madh qytetar e mediatik AKK është i obliguar të filloj procedurën e hetimit”, ka shtuar ai.
E sipas tij sanksioni i AKK-së, është marrja e 10% të fitimit vjetor.
“Këto nuk janë të gjeturat përfundimtare, vendimi përfundimtar do të merret pasi një muaji e më pas do të thërrasim ndërmarrjet që të japin sqarimin e tyre. Sanksioni i AKK është vendosja e gjobave prej 10% të fitimit vjetor”, ka përfunduar ai.