14 OJQ, kundër vendimit të sotëm të Qeverisë: U shkel Kushtetuta e aktgjykimet

13:56 | 31 Tetor 2025
14 OJQ, kundër vendimit të sotëm të Qeverisë: U shkel Kushtetuta e aktgjykimet

Katërmbëdhjetë OJQ, përmes një reagimi të përbashkët, kanë thënë se veprimi i sotëm i Qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e Qeverisë dhe vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kjo për faktin se, sipas këtij reagimi, sot votuan personat që janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Në reagimin e këtyre organizatave, thuhet se Projektligji për Buxhetin e vitit 2026 mund të propozohej nga Qeveria në detyrë, në përputhje me Ligjin për Qeverinë.

Megjithatë, këto OJQ thonë se siç kanë theksuar edhe në Letrën e dërguar presidentes Osmani, “ky proces do duhej të zhvillohej në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme”.

“Të njëjtat përcaktojnë qartë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i Qeverisë dhe si deputet. Prandaj, që ky proces të jetë i ligjshëm, ka qenë e domosdoshme që nënshkruesit e këtij projektligji të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin e lartcekur, dhe propozuesit të jenë zv.kryeministri dhe ministra e zv.ministra përkatës që nuk kanë fituar njëkohësisht pozitën e deputetit në këtë legjislaturë”.

“Çdo veprim që e anashkalon këtë parim cenon vlefshmërinë e vetë ligjit për buxhetin, situatë që ndodhi sot”, u tha në reagimin e tyre.

OJQ-të thotë se çdo tentativë si kjo e sotmja për të anashkaluar ligjin e Qeverisë, aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës “dëmton jo vetëm procesin e miratimit të buxhetit por edhe vet parimin e sundimit të ligjit në Kosovë”.

Tutje, në reagim, OJQ-të kanë kritika edhe në përmbajtjen e projektligjit dhe në pakot e propozuara. Thonë se vërehet “se janë përgatitur pa një qasje gjithëpërfshirëse institucionale, duke e thelluar edhe më tutje krizën politike në vend dhe përfundimisht mos miratimin e tij përmes konsensusit të përbashkët mes gjitha partive politike”.

“Një qasje e tillë cenon rëndë parimet e demokracisë së këtij vendi sepse po bëhet në periudhën e zgjedhjeve komunale dhe paralajmërimit edhe të zgjedhjeve të përgjithshme”, thuhet në reagimin e 14 OJQ-ve vendore.

Instituti GAP

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK)

Community Development Fund (CDF)

SHL-Kosova

YMCA Kosova

TOKA

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI)

Balkan Green Foundation (BGF)

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)

Community Building Mitrovica (CBM)

Advocacy Training and Resource Center (ATRC)

Komento: