14 zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës morën rreth 70 mijë euro shtesë në paga

21:02 | 02 Qershor 2020

Rreth 70 mijë euro shtesë pagash i morën bashkë 14 zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Rreth 6 mijë euro shtesë në muaj janë paguar zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës për shkak që janë angazhuar në projektet e financuara nga jashtë.

Për një periudhë ata kanë marrë shtesë çdo muaj nga 500 euro.

Dy prej zyrtarëve që kanë marrë paga të dyta janë nga Zyra e Prokurimit në këtë ministri. Një nga to është edhe drejtoresha e prokurimit, Valmira Bllaca.

Dy paga shtesë kanë shkuar për dy zyrtarë të Zyrës së sekretarit, raporton KTV.

Janë paguar me nga 300 ose 500 euro shtatë zyrtarë të Departamentit të Financave.

Edhe nga Departamenti i Infrastrukturës dy zyrtarë kanë marrë paga shtesë.

Në Departamentin e Administratës ka marrë pagë një zyrtar.

Në dokumentin e siguruar nga Koha thuhet se pagesat do të bëhen edhe për kohën që zyrtarët janë angazhuar në projekte prej muajit janar 2019.

Sipas dokumenteve të siguruara, këta zyrtarë, për këto punë, për 9 muaj janë paguar rreth 70 mijë euro shtesë. Por kjo vlerë mund të jetë edhe më e madhe, për arsye se Ministria nuk ka treguar se për sa kohë janë paguar ata pas marrjes së vendimit.

Javën e kaluar u raportua për më shumë se 100 mijë euro paga shtesë që u janë dhënë gjashtë zyrtarëve të institucionit të njëjtë për një tjetër projekt.

Ministrisë së Infrastrukturës i janë dërguar pyetje për të gjitha pagesat që përmendën në këtë dokument, por ajo nuk ka kthyer përgjigje. Në një deklarim të javës së kaluar, zyrtarët e kësaj ministrie patën thënë se pagesat tashmë janë ndaluar.

Komento: