Vitin e kaluar 15 punëtorë kanë vdekur në vendin e tyre të punës.
Vetëm në vitin 2022 në Kosovë 15 qytetarë kanë vdekur në vendin e tyre të punës.
Një shifër e tillë po konsiderohet shqetësuese edhe nga Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi.
Nikçi i ftuar në emisionin “Kallxo Përnime”, në të cilin po prezantohen gjetjet e raportit mbi të drejtat e punëtorëve, tha se vdekjet në vendin e punës janë të gjitha në sektorin e ndërtimtarisë.
Kryeinspektori i Punës tha se në pjesën e dytë të vitit 2022 kanë kryer mbi 6 mijë inspektime në terren. Nga këto 6 mijë inspektime janë shqiptuar mbi 400 gjoba.
“Ne kemi arritur që në pjesën e dytë të vitit të arrijmë targetin e ERA-s që është pjesë e MSA-së. Targeti ka qenë 6 mijë, ne kemi bërë 6 mijë e 32 inspektime. Prej këtyre 6 mijë inspektimeve kemi 400 e ca gjoba. Kjo natyrisht ka rritur vetëdijesimin te bizneset”.
“Në të kaluarën nuk ka qenë praktikë apo ndonjë reformë që bizneset të gjobiten. Atyre u ka shqiptu vërejtje edhe nëse ka qenë recidivist. Gjobat janë shqiptu në raste të rralla ndërsa tani ne kemi fillu një politikë tjetër me gjoba”- tha ai.
Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi shtoi se janë duke punuar drejt krijimit të data bazës.
Ai theksoi se deri në fund të vitit ‘duhet të ketë një data bazë të krijuar’.