16 kamionë hyjnë nga Serbia me dokumente ‘Republika e Kosovës’

10:33 | 04 June 2020

Që nga shtimi i masave të reciprocitetit deri më sot në vendin tonë nga Serbia kanë hyrë 16 kamionë më dokumentet “Republika e Kosovës”.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Deri më tani kanë hyrë 16 kamionë nga Serbia në Kosovë me dokumentet ‘Republika e Kosovës’. Nuk ka kamionë të kthyer mbrapshtë, pasi të gjithë kanë qenë të rregullt me dokumente”, tha Stavileci.

Kurse të hënën, në pikat kufitare të Jarnijes dhe Merdarës, janë ndaluar 12 kamionë me mallra nga Serbia.

Qeveria në detyrë e Kosovës, më 30 maj mori vendim të ri për reciprocitetin tregtar me Serbinë.

Në vendim u tha se asnjë mall nuk do të lejohet të hyjë nga Serbia në Kosovë, nëse në dokumentacion nuk e ka të shkruar vendin e destinimit “Republika e Kosovës”.

Po ashtu, e njëjta vlen edhe për mallrat që eksportohen nga Kosova në Serbi, të cilat duhet ta kenë të shkruar vendin e origjinës “Republika e Kosovës”.

Heqja e taksës ka ndikuar që importet nga Serbia për dy muaj të jenë afro 35 milionë euro, ndërkohë eksporti vetëm rreth 3 milionë euro.

Kujtojmë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për reciprocitet është marrë më 1 prill të këtij viti, duke e zëvendësuar këtë masë me taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, që pati vënë qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.

Nga ajo kohë është pezulluar edhe dialogu i këtyre dy shteteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel nga viti 2011.

Si taksën ashtu edhe reciprocitetin nuk e kanë mirëpritur as Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë thënë se nuk mbështesin veprime që krijojnë barriera dhe ngulfat ekonominë e Kosovës.

Komento: