16 punëtorë kanë vdekur në vendin e tyre të punës nga janari

09:06 | 27 August 2022

“Nga 1 janari deri me 23 gusht kanë vdekur gjithsej 16 punëtorë në vendin e punës, kryesisht për shkak të neglizhencës së pronarëve të kompanive dhe të institucioneve tjera”, kështu tha kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Ai ka folur edhe për kushtet e punëtorëve në këtë sektor, arsyet e largimit nga Kosova, dhe kërkesat që ka kjo sindikatë ndaj Qeverisë së Kosovës.

I pari i sindikatave të sektorit privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se një numër i madh i të rinjve po largohen nga Kosova, duke marrë rrugën për vendet perëndimore për një jetë më të mirë. Dhe njëra nga arsyet kryesore sipas tij, është mostrajtimi dhe keqpërdorimi nga shteti dhe nga pronarët e kompanive.

“Arsyet kryesore janë sepse pronarët nuk i kanë trajtuar mirë, siç e obligon Ligji i Punës dhe marrëveshja kolektive. Mostrajtim ka bërë edhe shteti. Punëtorët nuk shohin sinjale pozitive në 2-3 vitet e ardhshme dhe se këtu nuk ka perspektivë”, tha Azemi për Insajderin.

Azemi ka treguar se në Kosovë është duke u vërejtur se ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar tash e disa vite dhe se pensionistët ende janë duke punuar.

Kreu i kësaj sindikate tha për Insajderin se institucionet e vendit nuk kanë bërë asgjë për të përmirësuar pozitën e këtij sektori në shoqëri, duke theksuar në veçanti mungesën e madhe të inspektorëve.

“Asnjë qeveri nuk ka bërë asgjë që të ndryshojë pozitën e këtyre punëtorëve. Vetë fakti që nuk monitorohen dhe fakti që i ka 43-44 inspektorë që i mbikqyrin Ligjin e Punës, marrëveshjen kolektive dhe Ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë për mbi 200 mijë punëtorë, në mënyrë direkte bëhet me dije se shteti nuk ka dashur që ta mbikqyr si duhet këtë sektor”, u shpreh Azemi.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat ka disa kërkesa për pushtetin. Azemi kërkoi nga Qeveria Kurti që paga minimale të jetë 500 euro.

“Ne kërkojmë që paga minimale të jetë 500 euro, jo të jetë 250. Po ashtu, nënshkrimi i kontratës kolektive, duhet të bëhen ndryshime tek Ligji i Punës, respektimi i orarit të punës 40 orë në javë, përmirësimi i kushteve, shtimi i numërit të inspektorëve, në një farë forme këto i ka premtur Kryeministri i Kosovës”, theksoi ai.

Komento: