
16 rastet e reja me koronavirus në Ferizaj janë lidhje familjare.
Ferizaj është komuna me më së shumti të prekur me koronavirus në Kosovë.
Në bazë të të dhënave zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), deri më tani në tërë vendin janë 978 persona të prekur me koronavirus.
Në mesin e 978 të prekurve, vetëm në komunën e Ferizajt janë 129 persona, kështu duke e bërë qytetin më të prekur me COVID-19.
Vetëm gjatë së dielës IKSHPK-ja bëri të ditur se në Ferizaj janë regjistruar edhe 16 raste të reja, përkatësisht 11 të fshatin Balaj dhe 5 në qytet.
I pari i Ferizajt, Agim Aliu, ka treguar për lajmi.net, se 16 të infektuarit janë lidhje familjare.
“Këto janë raste kontakti dhe janë lidhje familjare do me thënë njëra prej tyre është nuse që lidhet me fshatin Balaj edhe ata në qytet është dhëndër i tyre, do me thënë të dy rastet janë lidhje familjare me rastin në Talinoc. 16 rastet janë raste kontakti dhe janë lidhje familjare”, ka treguar Aliu për lajmi.net.
Aliu po ashtu ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e tyre është e mirë dhe se nuk kanë ndonjë simptomë të rënduar.
“Të gjithë të infektuarit janë duke u trajtuar në shtëpi dhe gjendja e tyre është e mirë dhe kanë simptoma krejtësisht të lehta të COVID-19 mirëpo jo diçka ndodnjë shqetësim të veçantë. Në Talinoc i kemi çuar ekipet mjekësore që t’i japim disa vitamina dhe të ngjashme, por kryesore është se gjendja e tyre është stabile dhe e mirë”, theksoi Aliu.
Kryetari i Ferizajt po ashtu ka bërë të ditur për lajmi.net, se janë duke u bërë edhe gjurmimet e rasteve tjera të kontaktve të këtyre 16 të infektuarve.
“Jemi duke hulumtuar edhe kontakte të tjera të këtyre 16 të infektuarve në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik dhe të IKSHPK-së si shtab emergjent që të zbulojmë edhe kontakte të tjera. Sigurisht se këta kanë mundur që të komunikojnë edhe me persona të tjerë se sa kjo lidhje familjare për shkakun se ka pasur një liri më të madhe të lëvizjes së njerëzve në këtë kohë. Megjithatë ne do të shohim e do të gjurmojmë deri ku kanë shkuar kontaktet e tyre”, u shpreh Aliu.
Theksojmë se deri më tani në komunën e Ferizajt në mesin e 129 të infektuarve me koronavirus, 95 kanë arritur që të shërohen ndërkaq dy persona kanë ndërruar jetë.
Ndërkaq sipas IKSHPK-së në tërë vendin numri i të prekurve me COVID-19 është 978, ku 713 prej tyre kanë arritur që të shërohen ndërkaq, 29 persona kanë vdekur të cilët përveç koronavirusit, kishin pasur sëmundje të tjera shoqëruese.