16 vjet shtet/ 2 njohje për gjashtë vjet, asnjë në tri vjetët e fundit

08:03 | 18 Shkurt 2024
16-vjet-shtet/-2-njohje-per-gjashte-vjet,-asnje-ne-tri-vjetet-e-fundit

Kosova më 17 Shkurt shënon vitin e saj të 16-të si shtet.

Por, kanë kaluar më shumë se tri vjet dhe shtetësia e saj nuk është njohur më nga asnjë shtet tjetër.

Izraeli më 2 Shkurt të vitit 2021 ka qenë vendi i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 Shkurt të vitit 2008.

Para saj, shteti i fundit që e ka njohur Kosovën, ka qenë Barbadosi më 15 Shkurt të vitit 2018.

E, në ëebfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës figurojnë gjithsej 117 shtete të cilat e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Front Online ka dërguar pyetje në këtë ministri se çfarë është duke bërë në angazhimin e saj që Kosova të njihet edhe nga shtete të tjera, por nga ky dikaster nuk kanë kthyer përgjigje.

Kosova vazhdon të mos njihet nga shtetet fqinje Serbia dhe Bosnje e Hercegovina dhe nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian, siç janë Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia.

Spanja ka bërë një lëvizje në këtë drejtim duke i njohur pasaportat e Kosovës, kurse Greqia ka intensifikuar raportet me Kosovën, por se ende nuk e ka njohur si shtet.

Por si po e shohin këtë proces ish-ministra, ish-zv.ministra dhe njohës të fushës?

 

Behgjet Pacolli: Ka shtete që nuk kanë asnjë pengesë për njohje, por Kosova duhet t’iu troket në derë

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli thotë se sot Kosova ka për herë të parë një qeveri e cila nuk ka asnjë njohje për shtetësinë e saj.

Dhe se sipas tij, kjo nuk është gjë e mirë.

“Si fenomen nuk është i mirë dhe do të duhej të bëhej më shumë nga ana e Qeverisë që procesi i njohjes të mos ndalet as pauzon, sigurisht në fund është veprim i shteteve që të marrin vendimin, por nga ana e Kosovës nuk duhet të ketë pauzë e këtë po e kemi aktualisht. Së dyti, për shkak të tensioneve të shpeshta ndërmjet qeverisë sonë dhe partnerëve ndërkombëtar, shihet që ka një tërheqje nga ana e tyre në përkrahjen e synimeve të politikës së jashtme të Kosovës”, është shprehur për Front Online ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Kjo sipas, tij është e dëmshme dhe krijon një percepcion në botë që Kosova është e vetmuar.

Ai ka treguar se mban kontakte me shumë shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, por se siç thotë Pacolli Kosova duhet t’iu troket në derë.

“Unë mbaj kontakt me shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën por kanë bërë veprime duke pranuar pasaportat e saj, kanë iniciuar procedurat e njohjes dhe pres lajme pozitive. Thelbësore është që ka shtete që janë të gatshme të njohin Kosovën dhe nuk kanë asnjë pengesë ta bëjnë këtë, por Kosova duhet t’iu troket në derë”, ka shtuar Pacolli.

Ish-ministri Pacolli, nuk dëshiron ta komentoj punën e Ministrisë së Jashtme të cilën e udhëheq Donika Gërvalla.

Thotë se duhet t’ia lemë kohës që të dëshmohen rezultatet.

“Mbaj qëndrimin që si ish-ministër të mos komentoj Ministrinë e Punëve të Jashtme sepse duhet lenë kohën që ta dëshmojnë veten me rezultatet konkrete. Politika e Jashtme e Kosovës nuk duhet asnjëherë të heq dorë nga projekti më i suksesshëm diplomatik që ka pasur e që është njohja ndërkombëtare e saj. Derisa të bëhemi anëtar i OKB-së, ky është prioritet i palëkundshëm, dhe kështu duhet të shihet edhe nga qeveria aktuale. Sigurisht është proces i lodhshëm, shpesh kërkon durim dhe kohë por ambiciet nuk duhet hequr për shkak të mungesës së kondicionit”, ka deklaruar ai për Front Online.

 

Ish-ministri Pacolli: Njohja e shtetësisë së Kosovës s’është pjesë e fjalorit të Qeverisë

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka deklaruar për Front Online se Kosova është shumë më mirë se që ka qenë ndonjëherë në historinë e saj, por se ka shtuar se mund të bëhet edhe më shumë.

“Në çdo parametër kjo mund të dëshmohet. A mund të bëhet më shumë, sigurisht që po, por këtë debat e kanë çdo shoqëri normale e mirë që kemi pritshmëri më të mëdha e që s’jemi të kënaqur me atë që kemi arrit, por progresi bëhet duke punuar e jo vetëm duke folur e kritikuar. Nuk kam pritur që të kalojnë tri vite e të mos ketë asnjë njohje, kam pritur që do të ketë sfida e ato gjithë kanë qenë, por Kosova së paku nuk është tërhequr nga ambicia e saj për më shumë njohje”, ka thënë Pacolli, për Front Online.

Sipas Pacollit, njohja e shtetësisë së Kosovës nuk është pjesë e fjalorit të Qeverisë.

Dhe, këtë e lidh me marrëveshjen me Serbinë.

“Unë e shoh që njohja e shtetësisë së Kosovës nuk është pjesë e fjalorit të Qeverisë, e kjo tani u dëshmua me pranimin e marrëveshjes me Serbinë që nuk e ka njohjen as në qendër as në fokus. Pra, nga njohja de jure kemi bërë hap prapa në heqje dorë nga njohja ndërkombëtare e këtë nuk e ka pritur që një elitë politike në Kosovë mund ta bëj”, ka thënë ndër të tjera Pacolli.

 

Ish-zv/ministri Berisha: MPJD-ja po udhëhiqet nga një person jokompetent dhe e paformuar

Ish-zv.ministri i Punëve të Jashtme Anton Berisha, deklaron për Front Online se sa i përket aspektit të njohjeve kjo qeveri ka dështuar.

Kurse, për udhëheqësen e Ministrisë së Punëve të Jashtme ka disa fjale.

“Politika dhe diplomacia ndërmjet tjerash janë veprimtari të matshme. Mosnjohja nga asnjë shtet në këtë periudhë është tregues i qartë i dështimit të plotë të kësaj qeverie. MPJ udhëhiqet nga një person jokompetent dhe e paformuar për një detyrë kaq të rëndësishme për shtetin. Në mungesë të rezultateve aty ka vetëm probleme të pafundme dhe dështime të vazhdueshme”, është shprehur Berisha për Front Online.

Berisha, ka përmendur edhe arsyet të cilat kanë quar deri në stagnimin e njohjeve të reja ndaj shtetit të Kosovës.

“Ka stagnuar ngase shteti nuk është duke funksionuar dhe nuk ka asnjë ndikim në politikën ndërkombëtare , për më keq ka ndikim negativ. Tash, edhe shtetet që na kanë njohur janë duke vën në dyshim vendimet e tilla duke parë papërgjegjësinë totale jo vetëm të qeverisë, por edhe të shoqërisë kosovare në përgjithësi”, ka thënë ish-zv.ministri Berisha.

 

Ish-zv/ministri Berisha: Nuk kam besuar që në Kosovë do të ndodhë degradim, po shndërrohemi në mentalitet konfliktuoz

Ish-zv ministri i Jashtëm, Anton Berisha po thotë se nuk e ka menduar që Kosova do të jetë në një situatë çfarë është tani.

Ai, pohon se në vend po përdoren metoda nga ish-okupuesit dhe se ky është dështimi më i madh.

Sipas tij, bota nuk mund ta përkrah Kosovën derisa sheh se ky vend po shndërrohet në një shoqëri me mentalitet konfliktuoz.

“Natyrisht as unë vet e as shumë të tjerë që e duan Kosovën, dhe që një jetë të tërë ia kemi kushtuar asaj, nuk kemi besuar që një degradim i tillë do të ndodhë. Kthimi i mentalitetit të së kaluarës, përdorimi i metodave që kanë përdorur ish-okupuesit dhe nostalgjia për ish okupatorët është dështimi më i madh. Dhe, bota demokratike që ka kontribuar për lirinë e pavarësinë tonë, nuk është e gatshme të na përkrah, përderisa sheh se ne po shndërrohemi në një shoqëri me mentalitet jotolerant, jodemokratik dhe konfliktuoz”, është shprehur Berisha për Front Online.

 

Loxha-Stublla nga GLSP: Njohja ndërkombëtare e vendit ka çaluar në këtë periudhë

Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike(GLPS) kanë thënë për Front Online se përgjatë viteve të fundit politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar pa ndonjë sukses substancial.

Kjo për faktin pasi e njëjta ka qenë më shumë e karakterizuar nga zhvillimet në kuadër të dialogut Kosovë-serbi.

Në GPLS thonë se iniciativa kryesore në kuadër të politikës së jashtme dhe MPJ-se si institucion, ka qenë aplikimi për anëtarësim në Këshill të Evropës – KE dhe rrjedhimisht kalimi i fazës së parë së aplikimit pasi është votuar me 2/3 në Këshillin e Ministrave të KE-së.

“Një aspekt tjetër që politika e jashtme bazohet e qe është njohja ndërkombëtare e vendit ka çaluar në këtë periudhë, duke mos shënuar asnjë njohje të re. Si GLPS e vlerësojmë përparimin pozitiv në marrëdhëniet me Greqinë, një shtet mosnjohës, megjithatë njohja de-jure duhet të kërkohet domosdoshmërisht”, ka deklaruar për Front Online, drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbresha Loxha –Stublla.

Loxha-Stublla, ka përmendur edhe mungesën e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare duke thënë se Ministria e Jashtme në këtë drejtim është pasive.

“Deficit substancial mbetet po ashtu mungesa e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare, dhe MPJD e shohim relativisht pasive në këtë drejtim, meqë është fokusuar vetëm në dy organizata të rëndësishme si BE dhe KE. Por janë lënë anash ato forume, organizata, agjenci e mekanizma multilateral ku Kosova ka mundësi reale për anëtarësim”, ka thënë ajo.

Sipas drejtoreshës Loxha-Stublla fokusi momental i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës duhet të jetë në krijim dhe forcim të marrëdhënieve diplomatikë me shtet të cilat veçse e kanë njohur Kosovën.

“Nga 110 njohje, Kosova ka të krijuara vetëm 50 ambasada dhe konsullata në Botë. Kjo i bie që janë disa shtete që kanë njohur Kosovën mirëpo ende nuk kemi krijuar marrëdhënie diplomatike me to apo mbulohen nga ambasada apo konsullata të vendeve të tjera. Pra GLPS mendon që fokusi i MPJD-së duhet të vazhdoj të mbetet krijimi dhe forcimi i marrëdhënieve diplomatike me këto shtete si dhe të ketë marrëveshje politike me shtetet jo njohëse të Bashkimit Evropian të cilat kanë shumë rëndësi në rrugën e Kosovës për anëtarësim në organizatat Evropiane”, ka shtuar Loxha-Stublla për Front Online.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsërit vazhdimisht se njohja e Kosovës nga Serbia nuk do të ketë alternativë.

Dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve për më shumë se një dekadë, por marrëveshjet e arritura mes tyre kanë gjetur pak zbatim./Front Online

 

Komento: