
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në prezantimin para deputetëve në vitin 2021 kishte thënë se do të ndërtonte 160 çerdhe.
“Prandaj do të investojmë në shkolla dhe çerdhe publike me kujdes dhe edukim cilësor dhe shujta falas. Përmes investimeve ne 160 çerdhe dhe në adaptimin e hapësirave në institucione shkollore, përfshirja në edukimin e fëmijërisë së hershme rritet nga 7% në 24% për fëmijët e moshës 0-5 vjeç dhe nga 38% në 64% për fëmijët e moshës 3-6 vjeç. Kur kësaj i shtohet rritja e kapaciteteve në sektorin privat, atëherë mund të pritet rritje edhe më e madhe e pjesëmarrjes”, theksonte Kurti në Kuvend, gjatë prezantimit të plotë të programit qeverisës për vitet 2021-2025.
Tash, kur gati u bën 3 vite qeverisje, Kurti as afër nuk është të realizojë këtë premtim.
Në vitin 2022, Qeveria hodhi gurthemelin e veç 3 çerdheve, kurse në vitin 2023 janë buxhetuar vetëm 11 çerdhe.
Kurti tash e hodhi gurthemelin e një çerdhe në Godanc të Shtimes dhe sipas tij, me këtë Qeveria po tregon se është e përkushtuar.
Kurti me çerdhen e re në Godanc të Shtimes thotë se tregon përkushtimin e Qeverisë për fëmijët
Brenda 3 viteve qeverisje, kjo qeveri ka ndarë buxhet për ndërtimin e 14 çerdheve, nga 160 sa kishte premtuar.
“Kjo është çerdhja e 31-të, në mesin e atyre që i kemi ndërtuar, rinovuar e adaptuar”, tha kryeministri sot në Shtime.
Arsimi është shoqëruar vazhdimisht me probleme në Qeverinë Kurti. Grevat, përplasja me mësimdhënësit, mosfurnizimi me libra e shumë probleme tjera, e kanë përcjellur këtë qeverisje në sektorin e arsimit.